I kushtoi 40 mijë dollarë, Tirana do ta largojë, por problem mbetet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2018 | 17:00

I kushtoi 40 mijë dollarë, Tirana do ta largojë, por problem mbetet…

E ardhmja e Kenet Mugunës vihet në dyshim te Tirana. Lojtari i ardhur me aq bujë në Shqipëri, madje i konsideruar edhe si pasuesi i Merveilit, nuk e shfaqi kurrë veten në 5 muaj si bardheblu. Klubi sakrifikoi edhe 40 mijë dollarë për ta blerë kartonin e mesfushorit, vetëm e vetëm për t’i plotësuar dëshirën Ze Marias në merkaton e dimrit.

muguna

Duke besuar te zgjedhja e trajnerit, drejtuesit i dhanë edhe numrin “10”, megjithatë kjo fanellë më së shumti ngrohi stolin ose mbeti jashtë 18-shes. E gjithë kjo situatë ka bërë që drejtuesit të mendojnë seriozisht “divorcin” me të. Por, ngërçi qëndron te kontrata. Ai kur erdhi nënshkroi për 4 vite dhe ka kaluar vetëm gjysmë sezoni, marrëveshja e mban të lidhur edhe për 3.5 vite të tjera.

Nuk përjashtohet mundësia që t’i gjendet zgjidhja, megjithatë e vetmja gjë që dihet momentalisht është që nuk është në plane. Në të njëjtën situatë ishte edhe Musa Muhamed. Qendërmbrojtësi erdhi me idenë për të dhënë garanci në mbrojtje, por e kundërta ngjau. Në kësi kushtesh u pa e udhës që të zgjidhej kontrata me konsensus. Largimi i kenianit u shoqërua edhe me akuza, ndërsa reklamoi se nuk ishte paguar.

Gjithsesi, klubi dëshmoi me dokumente se kishte marrë më shumë se i takonte. Për vetëm 3 muaj e gjysmë, ai mori 23 mijë dollarë, mes të cilave 20 mijë dollarë ishin paradhënie dhe 1 muaj e gjysmë rrogë. Çështje më vete është rregulli i FSHF-së për ekstrakomunitarët, ndërsa në fushë lejohen vetëm 4 të tilla.

Tirana ka pikërisht kaq lojtarë në kontratë, megjithatë vetëm Maveje, Ngoo e Sentamu kanë dëshmuar cilësi. Në kësi kushtesh, një largim i mundshëm do krijonte mundësinë për të marrë ndonjë lojtar me vlerë nga tregu i huaj.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"