“I kënaqur nga testi miqësor”, Cungu: Ja si kalohet Hapoel Ber Sheva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2020 | 20:15

“I kënaqur nga testi miqësor”, Cungu: Ja si kalohet Hapoel Ber Sheva

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, pas barazimit 0-0 në miqësoren me Besëlidhjen, për “Panorama Sport” u shpreh: “Kjo miqësore ishte në vazhdën e përgatitjeve për ndeshjen e radhës që do të luhet në ‘Elbasan Arena’ përballë izraelitëve të Hapoel Ber Sheva.

cungu-lacii

Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën e skuadrës, kryesisht pjesën e parë, pavarësisht se nuk u dha maksimumi. Gjithsesi skuadra është e konsoliduar. Lojtarëve të ardhur rishtas u dhashë minutazhin e duhur pasi desha që të krijoj edhe unë idetë e mija për të ardhmen. Sa i përket merkatos, kohët e fundit kanë ardhur mjaft lojtarë, megjithatë klubi dhe drejtuesit janë në kërkim të elementëve që do të na shërbejnë aty ku mund të konstatohen mangësi, jo vetëm për Europën, por edhe për sezonin e ri, pasi do të luftojmë për suksese të tjera.

Sa i përket ndeshjes së radhës ndaj Hapoel Ber Sheva, ne do të mundohemi të japim maksimumin. Do të luftojmë ashtu siç kemi bërë vazhdimisht në kampionat, por edhe siç bëmë në Azerbajxhan në ndeshjen e fundit. Nëse ne do të bëjmë atë që kemi në dorë, dhe kjo besoj se është e mjaftueshme që përballë Hapoel Ber Sheva të kemi sukses.

Sot nuk ka skuadra të mëdha apo të vogla. Suksese kanë ato skuadra që janë më të përkushtuara, që janë të uritura për sukses. Kundërshtari duhet vlerësuar maksimalisht, ka bërë një skuadër mjaft të mirë. Neve nuk duhet të na stepë forma e kundërshtarit, përkundrazi duhet që të bëjmë detyrat tona dhe shpresoj se do të kemi sukses”.

Preng Gjikola – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"