“I kemi cilësitë të fitojmë Kupën”, Arapi: Me Tiranën duhet të minimizojmë gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2020 | 16:28

“I kemi cilësitë të fitojmë Kupën”, Arapi: Me Tiranën duhet të minimizojmë gabimet

Koha nuk premton, ndaj Teuta është e gjitha e përqendruar te Tirana. Durrsakët duan të jenë gati për të dielën, ditë kur do të luhet edhe finalja e Kupës së Shqipërisë. Skuadra e Edi Martinit kërkon që ta mbyllë me trofe këtë edicion, i cili përkon edhe me 100-vjetorin e klubit. Në një prononcim për “Panorama Sport” 48 orë para kësaj ndeshjeje, kapiteni i Teutës, Renato Arapi, ka folur mbi rëndësinë që ka kjo finale për Teutën, por edhe për mbylljen e sezonit dhe ndeshjen me Laçin. Qendërmbrojtësi shprehet se dëshira për të sjellë kupën në Durrës nuk është vetëm e tij, por e të gjithëve.
arapii
Arapi beson tek ekipi i tij ku shton se ndaj Tiranës është nga ato ndeshje që duhet të minimizojnë gabimet në maksimum që të shfaqin karakter dhe të luajnë me personalitet.

Renato, nuk e shmangët dot humbjen me Laçin… Çfarë ndodhi që shkoi kështu ky takim i fundit?
Jo gjithmonë gjërat shkojnë siç duam, por në këtë ndeshje ndikuan një sërë faktorësh që ndoshta s’do të ishte mirë të ndalemi shumë, duke qenë se përpara na pret një finale.
Teuta
Fakti që Europën e keni të sigurt, ndoshta bëri që ta nënvlerësonit këtë duel?
Në fakt, ishte një luks që objektivat t’i arrinim një javë para përfundimit të kampionatit dhe në këtë mënyrë një pjesë e mirë e lojtarëve që kanë pasur ngarkesë gjatë kësaj periudhe të pushonin, nënvlerësim s’mund të them, sepse edhe ata lojtarë që u aktivizuan u treguan seriozë dhe u munduan goxha atë ndeshje, paçka që në fund fati nuk ishte me ne.

Tani është koha të mendoni par finalen e Kupës së Shqipërisë. Si është gjendja e ekipit?
Gjendja është shumë optimale edhe harmonia në grup është shumë e mirë. Këto ditë po mundohemi t’i shfrytëzojmë në maksimum për të qenë sa më të gatshëm në ndeshjen e së dielës.

Tirana e mori titullin e saj për 100-vjetor, do t’ia bëni edhe një dhuratë Durrësit në këtë vit jubilar?
Kjo është jo vetëm dëshira ime personale, por e të gjithë djemve, stafit gjithashtu edhe e presidencës që ta sjellim këtë trofe në qytetin e Durrësit.
TIRANA ME TITULLIN
A keni miq te Tirana dhe i keni ngacmuar para kësaj sfide?
Në fakt, te Tirana kam disa miq, por për hir të së vërtetës nuk është se jemi ngacmuar përpara kësaj sfide.

Ju si kapiten dhe një lojtar që keni fituar trofe, a keni folur me ekipin diçka motivuese në prag të kësaj ndeshjeje?
Stafi ka folur gjatë gjithë këtyre ditëve për këtë sfidë, por edhe unë si kapiten kam folur mbi këtë ndeshje. Në finale jo çdo sezon të takon të shkosh, kështu që këtë mundësi të artë duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, sepse është një sadisfaksion për këdo një trofe i madh apo i vogël qoftë në moshë. Është nga ato ndeshje që duhet t’i minimizojmë gabimet në maksimum, të shfaqim karakter dhe të luajmë me personalitet.

Cili është lojtari i Tiranës, të cilin do të donit ta kishit te Teuta?
Në fakt, i respektoj në maksimum të gjithë lojtarët e Tiranës, sepse shumë prej tyre i kam pasur edhe kolegë, por ky nuk është momenti për të përzgjedhur se cilin lojtar dua në ekip, duke qenë se përpara kemi një finale dhe s’do të ishte etike për mua si kapiten të bëj të tilla dallime. Edhe ne kemi një ekip me lojtarë shumë cilësorë dhe kemi treguar gjatë gjithë sezonit që me ekipet pretendente gjithmonë kemi marrë rezultate të mira.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"