“I kam provuar mbi shpinën time këto surpriza”, Josa: Mos i merrni ndeshjet e mbaruara, në Shkodër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2021 | 13:39

“I kam provuar mbi shpinën time këto surpriza”, Josa: Mos i merrni ndeshjet e mbaruara, në Shkodër…

Vllaznia humbi një shans të artë për t’u shkëputur nga rivalët, ndërsa barazoi me Kukësin pa gola. Dashamir Xhika ishte heroi që u mohoi triumfin shkodranëve. Gardiani kryeqytetas priti gjithçka, teksa rasti më kulminant ishte ai i minutës së 71-të, kur Xhika arriti të neutralizonte 11-metërshin e Demir Imerit. Ndërkohë për sa i përket verilindorëve, edhe ata patën shanset e tyre me anë të Ibraimit, por nuk arritën t’i shfrytëzonin. Me këtë barazim, Vllaznia vijon të kryesojë me 1 pikë më shumë se Teuta dhe Laçi. Ndërkohë Kukësi i Josës është pozicionuar në vendin e 6-të me 31 pikë. Ishte pikërisht mbas ndeshjes trajneri i Kukësit Mirel Josa, ai i cili theksoi se nuk ka çudi në ndeshjet e kampionatit shqiptar, pasi nuk mund të bëhen parashikime:

josaaaa

“Nuk ka çudi në futbollin shqiptar. Janë gjëra që më kanë ndodhur mbi shpinën time edhe më parë. Kështu që mos i merrni ndeshjet të mbaruara të gjitha që do dalin sipas parashikimeve tuaja, pasi unë nuk bëj parashikime”, tha gjatë prononcimit ai. Ndërsa sa i përket rezultatit ai pranoi se të dyja kishin rastet e tyre dhe loja u var nga episodet. Ishte Vllaznia ajo që ishte në tension, ndërsa Kukësi ka gjetur ekuilibrat:

“Unë nuk mund të them që rezultati ishte i drejtë apo jo, pasi loja varet nga episodet. Siç mund të kishim shënuar ne, mund ta kishte bërë edhe Vllaznia që pjesën e parë. Ishte një ndeshje me tension sidomos nga ana e Vllaznisë, e cila kërkonte me patjetër fitore, pasi donte t’u shkëputej kundërshtarëve të vet, por dhe për të ardhur në rrugën e fitoreve pas kaq shumë kohësh. Gjithashtu, edhe ne kërkonim rezultat me qëllim që të krijonim stabilitetin që duhet të kemi si skuadër. Nuk mund të flas më për Vllazninë, së cilës i uroj suksese në të ardhmen. Mund të flas për skuadrën time, e cila bëri një lojë të pëlqyeshme, me ekuilibra edhe kur kishim topin dhe kur e humbnim atë.

Pavarësisht rasteve që krijoi Vllaznia, të cilat janë normale. Edhe penalltia e Vllaznisë, të cilat ishin normale për një ekip që donte te fitonte dhe gabimet ndodhin. Kështu e ka futbolli, nuk mund të themi që rezultati më i drejtë ishte barazimi. Ashtu siç mund të fitonim ne në pjesën e parë më Ibraimin dhe nga Vllaznia mund të kishte shënuar me penalltinë dhe loja mund të hapej, ose në rastin e Ezesë në fund. Thjesht mua më pëlqeu ekuilibri i skuadrës, por duhet të finalizojmë pasi dolëm në 20 metra disa herë dhe na mungoi gjuajtja, për shkak edhe të terrenit i cili ishte rrëshqitës dhe ta bënte të mundur gjuajtjen”, theksoi tekniku Mirel Josa.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"