“I kam dhënë titullin Elbasanit me penallti”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2014 | 12:48

“I kam dhënë titullin Elbasanit me penallti”

Laze dhe KotorriElvis Kotorri nuk di vetëm të mbrojë portën e tij nga goli, por edhe të ndëshkojë kolegun kundërshtar, duke i dhuruar skuadrës tri pikët. Ndaj Tomorit, ishte “gardiani” elbasanas, ai që shënoi nga pika e bardhë golin me vlerë tri pikë për verdheblutë. Në një intervistë për “Panorama Sport” Kotorri tregon se nuk është hera e parë që merr përsipër të godasë një 11-metërsh, madje kujton se në 2006-ën u ka dhuruar matematikisht titullin kampion verdhebluve. Portieri i Elbasanit, i cili deri më tani ka fituar katër tituj kampionë, tre në Superiore dhe një në Kategori të Parë, kërkon një tjetër me verdheblutë.
Kotorri, me Tomorin treguat se nuk dini vetëm të mbroni portën, por edhe të shënoni…
Në fakt, dihet që detyra ime është të mbroj portën, por kur më kërkohet që të ndihmoj edhe për të shënuar, jam i gatshëm ta bëj një gjë të tillë. Mungonte Dalipi që i godet 11-metërshat, ndaj e mora përsipër që të godisja unë, ku për fat shënova.
Mbani mend kur keni marrë përsipër të gjuani 11-metërsha të tjerë?
Që kur kam filluar të luaj futboll, sa herë që më është dashur të godas një 11- metërsh s’e kam pasur problem, në çfarëdolloj rrethane qoftë. Por, nuk e kam synim në vetvete. Mbaj mend që në vitin 2006 Elbasani luante me Tiranën në kryeqytet dhe takimi ishte në barazim 2-2. Fituam një penallti, të cilën e mora unë përsipër ta godisja dhe fatmirësisht shënova. Me atë gol Elbasani siguroi matematikisht titullin kampion.
Jeni rikthyer sërish të parët në klasifikim. Mendoni se do e mbani këtë pozicion deri në fund?
Kemi besuar gjithnjë që do ta rimerrnim të vetëm vendin e parë, pasi në skuadër janë lojtarë që janë shpallur kampionë të Superiores dhe janë mësuar me tituj. Por, më e rëndësishmja për ne, është rikthimi në Superiore dhe nëse shpallemi kampionë, atëherë sezoni do të ishte i shkëlqyer.
VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"