I ka stërvitur të dy, Mustedanagiç: Bare, më i mirë se Modriç 17 vjeç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2017 | 15:14

I ka stërvitur të dy, Mustedanagiç: Bare, më i mirë se Modriç 17 vjeç

Kombëtarja shqiptare U-17 të hënën do të niset drejt Qipros për një turne miqësor që do t’i shërbejë trajnerit Xhemal Mustedanagiç për të përzgjedhur futbollistët më cilësorë për raundin paraeliminator të Kampionatit Europian 2018. Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit do të zhvillohet një tjetër turne i rëndësishëm në Kazakistan, në fund të të cilit do të përcaktohet grupi që do të udhëtojë drejt Kroacisë për garën e muajit tetor. Tekniku boshnjak shfaqet optimist se kuqezinjtë e vegjël do të arrijnë të kualifikohen në “Elite Round”.

Mustedanagic konference “Si provë e përgjithshme për ne do të jetë turneu që do të zhvillohet në Kazakistan, pasi pikërisht ai grup do të jetë edhe në paraeliminatoret e Europianit në Kroaci. Grupi ku bëjmë pjesë është shumë i fortë, sepse do të kemi përballë Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshteinin. Për të arritur kualifikimin duhet të mundim një nga dy skuadrat retendente dhe në këtë rast mund të pretendojmë të kalojmë Kroacinë. Kjo do të jetë ndeshja kyç për ne”, u shpreh Mustedanagiç në një dalje para mediave sot.

61-vjecari, i cili është në këtë detyrë që nga viti 2011, thekson se e kishte parashikuar rritjen e nivelit të përfaqësimit të futbollit shqiptar në Europë, pasi është punuar profesionalisht për këtë synim. “Kurrë më parë nuk kemi pasur prurje kaq të mëdha nga futbolli shqiptar. Po e lë pak modestinë dhe po ju kujtoj se kohë më parë jam shprehur që pas 4-5 vitesh Shqipëria do të jetë një rol të rëndësishëm në Europë. Dhe në të vërtetë Shqipëria u kualifikua në Europian. Në futboll gjithçka ka kohën e vet, por duhet programim dhe punë serioze. Nëse do të punohet mirë, rezultatet do të vijnë. Fëmijët shqiptarë janë talente”, theksoi trajneri, duke vijuar:

“Gjatë këtyre ditëve në grumbullim kam pasur 24 lojtarë, tre prej të cilëve portierë. Gjithsesi, edhe ata katër që do të largohen duhet ta shikojnë këtë si një mundësi për të ardhmen, duke qenë se në muajin maj do të kemi një tjetër turne të rëndësishëm si ‘Lazio Cup’. Te Kombëtarja U-21 ka 5-6 lojtarë që kanë ardhur nga U-17 dhe U-19, si Çekiçi apo Bare. Në këto gjashtë vjet kemi qenë dy herë në ‘Elite Round’ dhe nëse disa situata do të kishin qenë më të qarta për ne, do të kishim qenë dhe dy herë të tjera”.

Por a mundet Shqipëria të nxjerrë talente të mëdha të futbollit, sikurse ka ndodhur me Kroacinë? Mustedanagiç merr si shembull Keidi Baren, i cili sipas tij, në moshën 17-vjecare ishte më i mirë edhe se mesfushori i Realit të Madridit, Luka Modriç: “Unë kam qenë trajner i Modriçit në Kroaci kur ai luante me 17-vjecarët, dhe këtu në Shqipëri kam stërvitur Keidi Baren. Mund të them se në atë moshë Bare ishte më i mirë se Modriç. Fakti që ky futbollist grumbullohet me skuadrën e parë të Atletiko Madridit është shumë domethënës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"