I ka skaduar kontrata, flet portieri i Apolonisë: Asnjë kontakt për rinovimin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2022 | 12:43

I ka skaduar kontrata, flet portieri i Apolonisë: Asnjë kontakt për rinovimin!

Apolonia zgjodhi Klevis Dalipin në stol dhe tani pritet që të marrë jetë edhe ndërtimi i ekipit. Zyrtarisht nga bardhejeshilët ka vetëm largime, por jo afrime. E paqartë është situata për disa lojtarë që mbyllën kampionatin e fundit. Shumicës u ka skaduar kontrata, por ende nuk janë ftuar për të negociuar për rinovimin. I tillë është rasti i portierit Endrit Çako, që u aktivizua 28 ndeshje si titullar. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai flet për këtë çështje dhe atë që nuk shkoi vjet.

Endrit Cako

Apolonia shfaqi dy “fytyra” sezonin e fundit. A i kushtoi kjo objektivin?

Apolonia kishte potencial për të bërë më shumë. Nuk e arritëm objektivin madhor për dy motive. Pikësëpari ndikoi fakti se ekipi ka shumë lojtarë të rinj dhe së dyti ndërrimi i trajnerit përpara fillimit të garës. Kjo kërkoi më tepër kohë që të kuptonin filozofinë e Juri Kanarsës.

A arrihet Superiorja vetëm me lojtarë të rinj?

Më vjen keq ta them, por Kategoria e Parë kërkon më së shumti një ekip që ka lojtarë me disa vite eksperiencë mbi supe. Kurrsesi nuk mund të mbështetesh vetëm te rinjtë, duke ditur që kundërshtarët janë agresivë dhe dinakë në fushën e lojës. Kjo u vu re edhe në ndeshjet e fazës “play off”, sidomos me Korabin. Kundër dibranëve vuajtëm pikërisht mungesën e eksperiencës, prandaj ishim ne humbësit në fund të ndeshjes.

Dy largime dhe asnjë afrim, madje mungojnë rinovimet…

Rëndësi ka që u zgjodh trajneri dhe tani besoj se presidenca do nisë me merkaton. Kampionati i ardhshëm do të jetë shumë i luftuar, prandaj ekipi duhet të përforcohet. Largimi i Berberit dhe Hidrit është një humbje e madhe për Apoloninë. Këta ishin lojtarë me eksperiencë, që do na ndihmonin në arritjen e objektivit madhor. Personalisht i mendoja si rinovimet e para.

Gjithashtu edhe kontrata juaj ka përfunduar. Do të rinovoni apo do të shikoni një mundësi tjetër?

Kontrata ime ka përfunduar. Në radhë të parë dua të theksoj se ende nuk ka një komunikim apo takim zyrtar mes meje dhe klubit për vazhdimësinë dhe së dyti, prandaj thashë dhe më sipër që klubi duhet të reagojë sa më shpejt për formatimin e ekipit në sezonin e ardhshëm.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"