I ka shënuar si lojtar, Gledis Lani kërcënon Skënderbeun edhe si trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 11:44

I ka shënuar si lojtar, Gledis Lani kërcënon Skënderbeun edhe si trajner

Besëlidhja pret sot në shtëpi Skënderbeun për llogaritë turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Në sezonin e shkuar, Besëlidhja ia doli që të shkonte deri në gjysmëfinale të Kupës duke kaluar me sukses Partizanin dhe Flamurtarin dhe më pas u eliminuan nga Tirana që fitoi edhe trofeun. Trajneri aktual i Besëlidhjes, Gledis Lani, ka një histori personale me Skënderbeun, bëhet fjalë për sezonin 2006-2007, kur luante si titullar te lezhjanët.

beselidhja-470x338

Me golin që i shënoi Skënderbeut nga një goditje standarde, Besëlidhja u ngjit në Superiore bashkë me Skënderbeun. Që nga ajo kohë, këto dy skuadra janë takuar me njëra-tjetrën zyrtarisht edhe sezonin 2007-2008, pasi në atë sezon lezhjanët ranë në Kategorinë e Parë, ndërsa Skënderbeu vijoi rrugën e suksesit.

Në Lezhë të gjithë janë të gëzuar, pasi po u mundësohet që ta ndjekin përsëri Skënderbeun në stadiumin e qytetit të tyre, por kësaj here ndryshe, si një skuadër pjesëmarrëse në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Trajneri Gledis Lani, duke na kujtuar edhe njëherë episodin e shënimit të golit që i ngjiti në Superiore ndaj Skënderbeut, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Nesër (sot) presim në shtëpi Skënderbeun, një skuadër që për Besëlidhjen deri para 10 vitesh ka qenë një rival në të dyja kategoritë. Por, tani është ndryshe, ne në Kategorinë e Parë, ndërsa Skënderbeu, jo vetëm si kampion kombëtar i gjashtëfishtë radhazi, por mjaft i suksesshëm edhe në Europë. Në radhë të parë është kënaqësi për ne që shorti na mundësoi që të ndeshemi me Skënderbeun që po e përfaqëson denjësisht edhe në arenën ndërkombëtare futbollin tonë.

Normalisht që skuadrat kur futen në fushë, vetëm për fitore mendojnë, gjithsesi, gjithçka do ta vendosë fusha e blertë. Ne do të luftojmë me të gjitha forcat, pse jo edhe për një fitore spektakolare. Si objektiv gjeneral, ne kemi ngjitjen në Superiore, por edhe Kupën nuk do ta lëmë pas dore, pasi edhe në këtë veprimtari Besëlidhja ka treguar se është e aftë që të eliminojë skuadra të mëdha.

Ne po e vlerësojmë maksimalisht Skënderbeun, pasi është një skuadër me mentalitet kampioni. Përveç vlerësimit do ta respektojmë si një mik të veçantë jashtë fushe, ndërsa për 90 minutat e kemi një kundërshtar potencial dhe rival”.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"