I ka shënuar Moldavisë, Salvador Kaçaj: Na penalizoi Strakosha, njësoj si babai në ndeshje të mëdha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 13:10

I ka shënuar Moldavisë, Salvador Kaçaj: Na penalizoi Strakosha, njësoj si babai në ndeshje të mëdha…

Kundër Moldavisë ka shënuar edhe Salvador Kaçaj. Ish-mesfushori lezhjan ka realizuar golin e dytë në ndeshjen e parë, që kuqezinjtë e fituan me rezultatin 3-0 më 29 mars 1995 në “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 1996.

salvador kacaj foto strakosha

Më pas ata fituan edhe në transfertë me rezultatin 3-2 ndaj moldavëve më 7 qershor 1995. Në një bisedë me “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Besëlidhjes, Skënderbeut, Omonia Nikosias dhe Vllaznisë, thotë se tani Kombëtarja është shumë më ndryshe. “Atëherë luanim më me shpirt, por mendoj se kishim edhe më shumë talent”, ka thënë ndër të tjera, Salvador Kaçaj.

Çfarë mbani mend nga ndeshjet me Moldavinë?

Ishin ndeshje speciale. Kam qenë në të dyja. Në të parën, atë të luajtur jashtë, morëm fitoren e parë në transfertë 3-2. Në të dytën u krijua një atmosferë e shkëlqyer, sepse ishte ndeshje e rëndësishme për ne. Kam shënuar edhe gol. Ishte Kombëtare tjetër ajo…

Ishte më e mirë, apo…?

Ishte më e mirë. Ne ishim ndryshe, ajo skuadër kishte një shpirt gare shumë të lartë. Kishte një shpirt gare që pak, ose shumë pak u ngjall te kjo Kombëtare në ndeshjen kundër Turqisë. Ishim shumë të ndjeshëm ndaj opinionit dhe sakrifikonim çdo gjë në fushë. Por edhe cilësi mendoj se kishim më shumë. Më thoni pak kush është sot në nivelin e Rudi Vatës, Sulejman Demollarit, Sokol Kushtës, Hysen Zmijanit, Arjan Xhumbës etj? Po trajnerët si Neptun Bajko, më i miri në historinë e Kombëtares, ku i kemi sot? Atëherë nuk kishim kushtet që kanë këta djemtë sot, por ama luanim për fanellë.

Ç’mendim keni për ndeshjen kundër Turqisë?

Mua më pëlqeu ndeshja kundër Turqisë me thënë të drejtën, por na ndëshkoi Strakosha. Njësoj si babai i vet, edhe ai na ndëshkonte në ndeshjet e mëdha. Fat i keq, por përsëritet historia…

Çfarë prisni këtë herë?

Shqipëria ka shanse të bëjë gjëra të mira, por kjo është ende Kombëtarja e De Biazit. Shtatë lojtarë në fushë ishin që nga koha e De Biazit…

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"