I ka refuzuar dy herë, Suso: Unë, kurrë tek Interi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 20:33

I ka refuzuar dy herë, Suso: Unë, kurrë tek Interi

Është një nga lojtarët më sim bolikë të Milanit dhe nga Hezus Suso pritet një tjetër derbi në nivel. Spanjolli është një shënues i rregullt ndaj Interit, por këtë herë dëshiron vetëm fitoren, duke hequr dorë nga gëzimi i golit apo asistet. Mes Milanit, fëmijës në pritje dhe kombëtares, Suso po kalon një moment pozitiv, për të cilin ka folur në një intervistë të gjatë për “Corriere Dello Sport”.

Suso

Të dielën është derbi, çfarë kuptimi ka ndeshja kundër Interit?

Sfidë pa dyshim speciale, që merr përmasa të mëdha edhe për nga mënyra sesi përjetohet nga të gjitha palët. Pres një përballje të bukur, sepse e gjitha është si një lojë pokeri dhe fitorja mund të na ndihmojë të rritemi me shpejtësi të dyfishtë.

Milani nuk cilësohet favorit, por po kalon një moment të mirë.

Ky është Milani më i fortë që kam luajtur ndonjëherë, si në nivel individual, ashtu edhe në grup. Po punojmë shumë me trajnerin. Mbase nuk e nisëm siç mendonim, por po rritemi dita-ditës.

Skuadra po shfaqet pozitivisht, po ju si ndiheni?

Mendoj se jam në momentin më të mirë të karrierës. Kisha kohë që prisja kombëtaren dhe tani që do të bëhem baba ndihem i plotësuar. Janë ditë të bukura dhe uroj që të zgjasin sepse, përveç fitoreve në kampionat, kemi edhe një ëndërr që quhet “Champions”, të cilën duam ta realizojmë për veten, klubin dhe tifozërinë.

Me sa thuhet, keni pasur mundësi transferimi, sa ndikon dashuria e tifozëve në merkato?

Ofertat nuk më kanë munguar, madje është e vërtetë që kam marrë edhe nga Interi, dy herë, vjet dhe sivjet. Ndihem pjesë e qytetit, e klubit dhe nuk kam menduar kurrë të ndryshoj fanellë. Në Itali nuk do të luaj për asnjë ekip tjetër përveç Milanit.

Sa ndikon prania e një lojtari si Higuain në skuadër?

Merrem vesh mirë me të. Është integruar që në ditët e para që mbërriti. Ndihmon të rinjtë, e sidomos Kutronen. Në fushë e njihnim të gjithë si kampion, por edhe jashtë terrenit është një personazh i fortë. Praktikisht di t’i bëjë të gjitha dhe me cilësi të lartë.

Jonghong Li raportohet gjithnjë e më shumë në telashe, cili është mendimi juaj?

Gjatë periudhës kineze kishte shumë rrëmujë, por për hir të së vërtetës, ne futbollistët nuk kemi pasur kurrë probleme. I vetmi shqetësim kishte të bënte me faktin se çdo ditë lexoja për një shitje timen.

Po me drejtuesit aktualë si është raporti?

Me Leonardon flas për gjithçka. Ai interesohet për çdo detaj, madje përpara disa ditësh më pyeti për shtatzëninë e bashkëshortes sime. Maldini është personifikimi i Milanit. Nuk mungon në asnjë stërvitje, na flet dhe na përmirëson me këshillat e tij.

Cili ka qenë idhulli juaj në fëmijëri?

Kur isha i vogël, çmendesha për Kakanë, sidomos për vrapimet e tij, falë së cilave driblonte kundërshtarët dhe qetësinë që e karakterizonte në fushë kur i duhej të vendoste me goditje apo pasimet. Ishte një kënaqësi për sytë. Javën e kaluar e hasa në “San Siro”, por nuk folëm pasi nuk donte të na shqetësonte përpara ndeshjes.

Keni ndonjë premtim apo dëshirë në lidhje me derbin?

Nuk dua të premtoj më asgjë, sepse nuk më intereson të shënoj apo të dhuroj një asist nëse nuk fitojmë ndeshjen. Kjo ndeshje vlen tri pikë, por ndikon shumë te besimi. Nëse vjet thashë se doja t’i hiqje Interit Rafinjën, këtë vit nuk kam asnjë preferencë.

Përgatiti: REINOLD BAKALL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"