I ka provuar të gjitha nivelet e trajningut në futbollin shqiptar, Stojku: Merkato në elitë, po negociojmë për “Elbasan Arenën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 0:16

I ka provuar të gjitha nivelet e trajningut në futbollin shqiptar, Stojku: Merkato në elitë, po negociojmë për “Elbasan Arenën”

Gentian Stojku është nga ata trajnerë që i ka provuar të gjitha nivelet e trajningut në futbollin shqiptar, nga elita deri në Kategorinë e Tretë.

Elbasani Stojku

Megjithatë, për të pak rëndësi ka niveli dhe kjo nuk e pengon që të japë maksimumin sa herë merr përsipër të drejtojë një skuadër.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i pankinës së AF Elbasanit flet për edicionin e mbyllur dhe pritshmëritë në Kategorinë e Dytë. Ai është i bindur se edhe këtë sezon skuadra do të luajë për t’u ngjitur dhe thotë se kanë kontaktuar lojtarë cilësorë në merkato, ndërsa shpreson që sezonin e ardhshëm t’i luajnë ndeshjet në “Elbasan Arena”.

Stojku, si e përjetuat këtë sezon në Kategorinë e Tretë?

Të them të drejtën, më tepër pata kënaqësinë që dhashë kontributin për skuadrën dhe tifozërinë e kësaj skuadre. Niveli normalisht nuk kishte lidhje me asnjë nga ekipi ynë, as me mua dhe as me skuadrën, por detyra jonë është që të rikthenim Elbasanin aty ku duhet dhe ishim të detyruar ta nisnim nga ky nivel.

Si e prisni tani Kategorinë e Dytë? Cilat do të jenë synimet?

Edhe në këtë kategori synimet do të jenë të ngjitemi sërish një kategori më lart. E meriton i gjithë ky qytet që të ketë një ekip në nivelet ku i takon, ndaj edhe këtë vit do synojmë patjetër ngjitjen. Të gjithë së bashku jam i bindur se do t’ia arrijmë.

Sa të vështirë e prisni këtë kategori apo mendoni se do të dominoni sërish?

Kategoria e Dytë është më e vështirë, sepse edhe niveli i skuadrave rritet disi në krahasim me të Tretën. Ndërkohë, nuk është më me grumbullim dhe të luash në një stadium neutral. Duhet të shkosh edhe në fusha kundërshtare dhe kuptohet vështirësia. Por kjo nuk do të thotë që vëmendja jonë do të jetë vetëm në transferta, sepse edhe në shtëpinë tonë nuk do t’i marrim ndeshjet lehtë.

I keni piketuar lojtarët që do të afroni në merkato?

Sigurisht, kemi filluar që tani t’i piketojmë dhe t’i kontaktojmë. Bëhet fjalë për lojtarë jo të nivelit të Kategorisë së Dytë, por futbollistë nga elita dhe Kategoria e Parë. Thuajse kemi mbyllur edhe marrëveshjet. Do t’i zyrtarizojmë në vijim. Për fat të mirë, ana financiare është e shëndoshë.

Kemi menduar edhe të bëjmë fazë përgatitore, në mënyrë që të jemi të përgatitur në maksimum për nisjen e kampionatit. Deri ditën e fundit ne do të kërkojmë “qershinë mbi tortë” sa u përket lojtarëve.

Shpresoni të luani në “Elbasan Arena” këtë sezon?

Po, shpresojmë që kështu të ndodhë. Fjalët janë të mira. Drejtuesit kanë biseduar me institucionet përkatëse, në mënyrë që të luajmë në stadium.

Me sa dijeni kam, këtë sezon pritet të mos ketë shumë ekipe që ta përdorin si shtëpinë e tyre stadiumin e Elbasanit, dhe normalisht besoj se do të jetë në shërbim të qytetit. Është gjëja më normale për të gjithë, sepse kështu thithim edhe tifozërinë në shkallët e stadiumit dhe Elbasani e ka treguar se tifozët nuk i ka të paktë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"