I ka mbaruar kontrata, flet Vilfor Hysa: E dua edhe një vit në Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2021 | 16:06

I ka mbaruar kontrata, flet Vilfor Hysa: E dua edhe një vit në Lushnjë

Lushnja ka “skaduar”. Që në hyrje të muajit qershor, asnjë futbollist nuk është nën kontratë. Që të gjithë kanë dalë të lirë, pasi marrëveshjet që nënshkruan Bashkia Lushnjë janë sezonale. Ka lojtarë që do të tentojnë të sistemohen diku gjetkë, por edhe nga ata që do të presin drejtuesit verdhejeshilë. Gjasat janë që pas javës së dytë të qershorit të ketë ndonjë zhvillim konkret për këtë pjesë. Drejtuesit duan të nxitojnë, që të paktën të “blindojnë” ata elementë të cilët cilësohen të rëndësishëm.

hYSAJ

Gazeta mëson se në klub kanë filluar punën për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, megjithatë është herët për të folur për zyrtarizime. Një nga futbollistët që pritet të rinovojë është Vilfor Hysa. 32-vjeçari ishte nga më të spikaturit në sezonin e kaluar, duke kryer më së miri rolin e asistuesit.

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, sulmuesi nuk e mohon që dëshiron të qëndrojë, ndonëse shpreson që në vitin e dytë pretendimet të jenë edhe më të mëdha. Nuk e përmend në asnjë moment termin “ngjitje”, por sigurisht atë lakmon.

“Mbyllëm sezonin në vendin e pestë. Ndoshta nuk është pozicioni që të gjithë donin, por ashtu si shkoi mund të quhet sukses që kurrë nuk u diskutua mbijetesa. Llogaritë i kemi mbyllur shumë herë. Nuk duhet të harroni që ka qenë një kampionat i sikletshëm për ne. Kanë ndodhur nga të gjitha dhe kemi qenë gjithmonë në kushte emergjente, me dëmtime të gjata, sëmundje e COVID.

Mungesat u bënë të zakonshme te ne, pasi çdo javë nuk kishim kontigjent të plotë. Ekipi dha maksimumin, duke vlerësuar çdo ndeshje deri tek e fundit. Tani jemi me pushime, duke u qetësuar. Është shumë shpejt për të ardhmen, por mund të them që Kategoria e Parë do të jetë shumë më e fortë. Unë di që në sezonin e ardhshëm Lushnja do të jetë pretendente dhe kjo më gëzon.

Unë jam shprehur i gatshëm për të rinovuar. Një sezon i dytë te Lushnja dhe me pretendime të mëdha do të ishte shumë mirë. Të shohim, tani jemi me pushime”, është shprehur sulmuesi Vilfor Hysa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"