I hoqi fitoren nga duart Vllaznisë, Kapllani: Dua të bëhem si xhaxhai im, Edmondi. Uroj të luaj dhe të shënoj ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2020 | 12:01

I hoqi fitoren nga duart Vllaznisë, Kapllani: Dua të bëhem si xhaxhai im, Edmondi. Uroj të luaj dhe të shënoj ndaj Tiranës

Teuta ka fituar një talent. Është vetëm 19 vjeç dhe ka pak minuta në këmbë, por kjo nuk e pengoi që t’i nderonte durrsakët në “Loro Boriçi”. Me atë gol që shënoi në të 93-ën minutë, u dha shpresë “djemve të detit” që të besojnë te kualifikimi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Por, flasim për Dejvidin, pinjollin më të ri të Kapllanëve. Për “Panorama Sport” na rrëfen hapat e tij të parë në futboll dhe emocionet që përjetoi duke i shënuar Vllaznisë. Shumëkush pyet se pse nuk u bë portier si babai (Xhevahiri), por sulmues si xhaxhai (Edmondi) dhe arsyen na e jep ai vetë. Ajo rrjetë e ka lënë pa gjumë, e megjithatë ka menduar i ati që ta ulë direkt me këmbë në tokë. Këto edhe të tjera na i zbulon që të gjitha në këtë intervistë…
foto-kapllanaj
Dejvid, kur e keni nisurfutbollin?
Futbollin e kam nisur që në moshën 5-vjeçare. Kam jetuar me emocionet e futbollit prej babait dhe xhaxhait, të cilët më mbanin gjithmonë pranë ambienteve stërvitore apo stadiumeve.

Pinjolli më i ri i Kapllanëve ka marrë më shumë nga xhaxhai. Pse zgjodhët të bëheshit sulmues e jo portier?
(Qesh) Që fëmijë kam pasur dëshirë për të shënuar si xhaxhai. Pak a shumë e kuptoja çfarë ndjesie të jepte goli, edhe pse në moshë të vogël. Kam pasur reflekse për portier, por babai asnjëherë nuk ka dashur, edhe pse kjo ishte një dëshirë imja. Duke u rritur, kuptova që roli i sulmuesit ishte ideal për mua dhe qëllimi im që në moshën e vogël e deri tani është që të ndjek hapat e xhaxhait tim dhe, pse jo, të behëm më i mirë se ai.

Si e bëtë gjumin pas ndeshjes?
Gëzim i madh. Kur takova njerëzit e familjes pata emocione të papërshkrueshme. E kisha të vështirë të më zinte gjumi, por të nesërmen kishim stërvitje herët në mëngjes dhe duhet të isha i përgatitur.

Ndeshja e radhës vjen shumë shpejt dhe nuk ka kohë për të festuar gjatë. Çfarë ju tha babai?
Duke qenë se ai është kritiku dhe njëkohësisht tifozi im më i mirë, sigurisht më uroi për golin. Por, më pas, më tha të qëndroja me këmbë në tokë, sepse kam rrugë të gjatë përpara. “Ky është vetëm fillimi. T’i gëzohemi këtij goli të sotëm.  Nesër fillon një ditë e re dhe duhet të mendosh për ndeshjen e radhës”, kështu më tha.

I kërkuat ndonjë “dhuratë”…?
Dhurata më e bukur që mund të marr është që t’i shoh të lumtur e të gëzuar për mua familjarët e mi. Ata e meritojnë të jenë më të lumturit për mua.
Futbolli është i bukur nga jashtë, por ka shumë sprova dhe sakrifica, që i kam ndarë dhe do t’i ndaj vetëm me familjen time.

Çfarë menduar në momentin e golit? Kishit portierin përpara dhe Herald Markun që duhet t’ju markonte… Nga ju erdhi gjithë ajo ftohtësi në momentin e goditjes?
Të them të drejtën, kur pashë topin që me erdhi te këmbët, nuk u mendova dy herë. Isha me kokën ulur, pa e parë portën fare dhe godita. Zoti ishte me mua në ato momente. Isha i bindur që do ta dërgoja topin në rrjetë. Ishte si një ëndërr. Asnjëherë nuk e kisha menduar një gol vendimtar dhe
mbi të gjitha në minutat shtesë.
Edi-Martini
Në momentin që u futët nga stoli, cila ishte porosia që ju la trajneri?
Asnjë porosi specifike. Thjesht më dha kurajë dhe më tha të luaj përpara me besim.

Na zbuloni mesazhin më të bukur që keni në telefon për golin?
Të gjitha mesazhet ishin speciale në mënyrën e tyre, sepse shprehnin dashamirësinë ndaj meje. Të gjitha ishin shumë të bukura. Nuk mund
ta veçoj dot cili ishte më i veçanti.

Cili është idhulli juaj në futboll?
E kam thënë dhe me parë, idhulli im është Edmond Kapllani. E kam ndjekur në çdo moment të karrierës dhe gjithmonë i kam thënë: “Dua të
bëhem si ti…”.
MESI BARCA
Për kë bën tifo Dejvi?
Jam tifoz i zjarrtë i Barcelonës dhe i Mesit.

Teuta do Europën, do të zgjidhnit që ta arrinit përmes Kupës apo kampionatit?
Duke parë ngjeshjen e ndeshjeve si të kampionatit ashtu dhe të Kupës nuk duhet të bëjmë gabime. Objektivi ynë është që të arrijmë Europën me anën e të dyja kompeticioneve, si Kupës dhe kampionatit.Duke parë kapacitetin e lojtarëve që ka ekipi, mund t’i arrijmë këta objektiva. Kupa është një synim i madh, sepse është mënyra më e lehtë për të shkuar në Europë. Ne jemi tepër të motivuar t’i shkojmë  deri në fund këtij trofeu. Do të ishte një dhuratë shumë e bukur në këtë 100-vjetor të themelimit të klubit për ne futbollistët, por edhe për sportdashësit durrsakë.

Tashmë që e bëtë “sefte” dhe ndoshta keni më shumë vetëbesim, prisni më shumë  minuta?
Goli më ka motivuar jashtë mase. Shpresoj shumë të kem minuta ndaj Tiranës, sepse e ndiej veten në 100% tim.

A jeni gati t’i ndëshkoni edhe bardheblutë?
Me ndihmën e Zotit, shpresoj t’i ndëshkoj. Mbi të gjitha, vlen fitorja. Nuk ka rëndësi kush shënon.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"