“I forti i shtëpisë”, Lajthia do gol në transfertë: Jam milanist, lojtari im i preferuar ka qenë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2022 | 23:20

“I forti i shtëpisë”, Lajthia do gol në transfertë: Jam milanist, lojtari im i preferuar ka qenë…

Lushnja gjen bomberin. Pas dy dopietave që i ka shënuar Besëlidhjes dhe Tomorit, Xhonatan Lajthia ndëshkoi edhe Besën. Mjaftoi një “shkrepje” këtë herë dhe verdhejeshilët morën trepikëshin.

Lushnja

Një fitore e çmuar, që i ngjit në vendin e 9-të duke iu larguar disi zonës së rrezikut. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori tregon anën tjetër të tij, duke filluar nga planet për të ardhmen dhe idhujt. Është i lumtur që po shënon, por ama nuk dëshiron që të cilësohet vetëm “i forti i shtëpisë”. I mungon një rrjetë në transfertë…

5 gola për Xhonatan Lajthinë dhe të gjithë të shënuar në “Roza Haxhiu”…

Më mungon një gol në transfertë, por ka një shprehje: “I forti i shtëpisë” (qesh).

Mendoni se mund të jeni shënuesi më i mirë i Lushnjës për këtë sezon?

Në çdo ndeshje unë mendoj të jap përtej mundësive të mia. Falënderoj Zotin që më ka ndihmuar të shënoj 5 gola. Pavarësisht se roli im si mesfushor është pak larg portës, shoh gjithnjë andej…

Kujt ia dedikuat golin kundër Besës?

Këtë gol kundër Besës ia dedikova gjyshes sime, e cila ndërroi jetë dy javë më parë.

Në fillim të shkurtit mbushët 23 vjeç. A mendoni se ky është sezoni juaj më i mirë deri më tani?

Po. Pas një eksperience në Superiore, ky sezon është një nga më të mirët e mi. A mendoni se do të riktheheni në Superiore vitin e ardhshëm? Varet nga merkatoja, por shpresoj shumë që vitin tjetër të jem në Kategorinë Superiore.

Për kë bëni tifo në futbollin e huaj dhe keni ndonjë futbollist të preferuar?

Jam milanist dhe lojtari im i preferuar ka qenë Kaká. Të kthehemi te Lushnja.

Si e shikoni situatën në këtë moment?

Pas çdo jave situatat ndryshojnë. Morëm tri pikë të rëndësishme dhe jemi më të qetë. Tani po mendojmë që gjërat të na shkojnë pozitivisht edhe në transferta.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"