I fiksuar pas Pepit e Krojfit, por Kike është edhe kokëkrisur. Profili interesant i trajnerit të ri të Barcelonës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2020 | 16:06

I fiksuar pas Pepit e Krojfit, por Kike është edhe kokëkrisur. Profili interesant i trajnerit të ri të Barcelonës

Shumë pak trajnerë, apriori, e përfaqësojnë aq mirë filozofinë e Barcelonës si trajneri i ri. Enrike Setien Solar (Kantabria, 27 shtator 1958) ka përpara tij mundësinë e jetës, mundësinë e karrierës. Kapriçot e fatit deshën që ai të ulet në pankinën e skuadrës me të cilën është i dashuruar dhe donte ta kopjonte me skuadrat që drejtoi, si Las Palmas apo Betis. Setien do të drejtojë Barcelonën.

Spain Soccer Barcelona Setien

I guximshëm dhe polemizues njëkohësisht, Kike gjithmonë ka dashur të mbajë lart flamurin e futbollit të bukur, e futbollit në kontroll, e zotërimit të topit, e presingut larg, e mbrojtjes me 3 dhe e ndryshimit të pozicioneve. Në tërësi, të gjitha konceptet që kishte Johan Krojf me ekipin e tij “Dream Team” që mahniti botën, të cilat u perfeksionuan me kohën nga Pep Guardiola. Setien kurrë nuk e ka fshehur admirimin e tij për këto dy epoka brilante në klubin blaugrana. “Do të kisha dhënë gjithçka për të luajtur me Johanin.

Modeli i lojës është diçka shumë thelbësor në zotërimin e topit. Kjo është ajo që dua. Nëse ke topin në kontroll, askush nuk do të bëjë gol, vetëm nëse shënon në portën tënde. Është shumë e thjeshtë. Çdo lojtar e shijon futbollin më shumë kur ka topin në këmbë dhe jo duke vrapuar pas tij”, ka thënë trajneri Setien. Mënyra se si ai menaxhon një ekip futbolli nuk është anashkaluar. E nisi te Rasing Santander, me të cilin korri suksese pastaj shkoi te Poli Ejido dhe me Guinenë Ekuatoriale.

setien

Aty nuk i pëlqeu aspak mënyra se si punohej dhe u largua pas një ndeshjeje. Kjo tregon karakterin e tij të fortë dhe personalitetin që ka. Sukseset më të mëdha i ka arritur me skuadrën e Betisit. Marrëdhënia aty ishte dashuri-urrejtje. Sekreti ishte bashkimi i veteranëve me të rinjtë.

Rikuperoi futbollistë si Hoakin, Bartra apo Guardado dhe aktivizoi të rinjtë si Xhunior Firpo, Fabian Ruiz dhe Loren. Me ta arriti ta kualifikonte Betisin në Europë dhe luajti një gjysmëfinale në Kupën e Mbretit. Në vitin e dytë të tij nuk e ruajti dot traditën, ndonjë fjalë e tepërt në konferencë dhe marrëdhëniet jo të mira me drejtuesit bënë që të largohej.

960-600-kike-setien

 VIZITOI GUARDIOLËN – I ndodhur larg pankinave, Setien i ka kaluar këta muajt e fundit duke ngjitur male dhe duke parë ndeshjet, madje edhe ato të djalit të tij, Laro Setien, me Sant Andreun. Setien vizitoi edhe Pep Guardiolën në Mançester. Në moshën 61-vjeçare erdhi momenti i shumëpritur.

Champions-i, Barcelona që më parë ishte e Krojfit dhe Guardiolës, Mesi, drejtimi i një skuadre që po lufton për të rikuperuar identitetin dhe ADN-në e saj, stilin që e bëri të triumfonte. Duket se askush më mirë se Setien nuk mund ta bëjë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"