I favorizon edhe “X”, Omeri sheh fitoren e 11-të në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2022 | 23:40

I favorizon edhe “X”, Omeri sheh fitoren e 11-të në Fier

Apolonia llogarit fitoren e 11-të radhazi në shtëpi. Kampionati u mbyll, por tashmë kanë edhe një finale për të luajtur. Kundërshtar në “play off” kanë Tërbunin dhe rregullorja i favorizon. Jo vetëm që e presin në “Loni Papuçiu”, por mund të kualifikohen edhe me një barazim.

Omeri

E megjithatë, fierakët nuk duan ta lënë veten deri në këtë pikë. Ata duan të thellojnë rekordin që kanë në stadiumin e tyre dhe garanci për këtë jep një Stefano Omeri, që raportin me asistet dhe golat këtë sezon e kishte perfekt. “Ndaj Vorës morëm një fitore bindëse. Ishte si për të vërtetuar që në shtëpi nuk falim ndonjë kundërshtar. ‘Loni Papuçiu’ është fortesa jonë dhe nuk duam që rekordi ynë të ndalet me 10 ndeshje.

E 11-ta do të vijë ndaj Tërbunit. E respektojmë maksimalisht kundërshtarin, por Apolonia nuk do të gabojë më ndaj tyre. Po marrim çdo masë dhe u premtoj tifozëve fierakë se së bashku mund ta kalojmë Tërbunin. Pavarësisht se luajmë për dy rezultate, në fushë futemi për ta fituar sfidën dhe për të mbyllur përfundimisht çdo llogari me pukjanët.

Forma ime? Përgjithësisht ka qenë një sezon i mirë. Mund të kisha shënuar më shumë, por në fund për mua ka rëndësi objektivi madhor i Apolonisë. Për ne nuk ka mbaruar asgjë akoma duke qenë se faza e tanishme është një betejë më vete pasi përballemi me shumë skuadra të forta. Çdo gol në fazën ‘play off’ do të më shijonte më shumë. Ndaj, po punoj në çdo seancë stërvitore, për ta ndihmuar sa më shumë skuadrën”, tha autori i 9 golave.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"