I eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, Luftëtari përgatit hakmarrjen për kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 19:47

I eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, Luftëtari përgatit hakmarrjen për kurbinasit

Luftëtari nuk humbet kohë, teksa në seancën stërvitore të ditës së djeshme startoi përgatitjet për transfertën kurbinase. Laçi është për të besuarit e trajnerit Hasan Lika, kundërshtari i radhës në kampionat, që duhet mposhtur. Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, pikërisht nga kurbinasit, gjirokastritëve s’u mbetet gjë tjetër, veçse të vijojnë serinë e rezultateve pozitive në kampionat.

luftetarii

Gjirokastritët, që prej 26 nëntorit të vitit të 2017, nuk njohin dështim, teksa kanë arkivuar 5 fitore, 2 barazime dhe 0 humbje. E si për të ruajtur këtë rekord, trajneri Hasan Lika do të ketë mundësi që të aktivizojë futbollistët e tij më të mirë. Laçi është një ekip i vështirë për t’u mundur sidomos në shtëpi, megjithatë bluzinjtë nuk tremben dhe dje, trajneri Lika, për rreth 90 minuta, ka punuar me ngarkesa maksimale me skuadrën e tij.

RIKTHIMET – Pjesë e më shumë se 30 lojtarëve ishin dhe të dëmtuarit e javëve të fundit, Oltion Rrapa dhe Eri Lamçja. Ky i fundit, autori i dy golave të realizuar në 19 javët e deritanishme, u aktivizua pjesën e parë, në humbjen 1-0 të Luftëtarit me Laçin, në mesjavë.

Luftetari

Ndërsa ditët e pushimit kanë mjaftuar që mbrojtësi Rrapa të kalojë dëmtimin, duke qenë kështu i gatshëm për ndeshjen me Laçin. Por, lajmet e mira të ardhura nga infermieria e Luftëtarit, i prish ndëshkimi me karton të kuq i Lejdi Liçajt në ndeshjen e fundit ndaj Teutës.

Ky është një problem më vete në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku trajneri Lika duhet të mendojë për zëvendësuesin e 31-vjeçarit. Oltion Rrapa, i rikthyer, pritet të aktivizohet në vendin e Liçajt, si mbrojtës i djathtë, rol që e ka bërë mirë në shumë përballje. Por, edhe Bruno Toeldo është një tjetër alternativ për këtë rol dhe do të shihet se cilin prej të dyve do të zgjedhë trajneri kryeqytetas.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"