I dha asistin e golit, Balliu i mahnitur pas Falkaos: Mjafton t’ia hedhësh topin në zonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2021 | 19:13

I dha asistin e golit, Balliu i mahnitur pas Falkaos: Mjafton t’ia hedhësh topin në zonë

Transferimi i Radamel Falkaos në kampionatin spanjoll te Rajo Vajekano, ka qenë një “dhuratë nga qielli” e ditëve të fundit të merkatos për klubin i cili me kolumbianin në përbërje, shpreson që të arrijë shumë më shpejt objektivin e mbijetesës. “Tigri” ka filluar të lërë shenjë shumë shpejt me golat e tij dhe më i fundit ishte ai në fitoren kundër Kadiz, me shifrat 3-1.

balliu falako

Një gol i cili erdhi falë kontributit të Ivan Balliut, autori i asistit për Falkaon. Vetë mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka shpjeguar se tashmë me një sulmues të tillë në dispozicion, për futbollistët e krahëve është gjithçka më e thjeshtë.

“Me Falkaon është shumë e lehtë, duhet thjesht të hedhësh topin në zonë se ai e gjen. Është e pabesueshme të kesh një lojtar të tillë në ekip. Duhet të hedhim më shpesh topin në zonë, pasi edhe në stërvitje është e njëjta gjë”, tha Balliu.

“Të vrapojmë, luftojmë e punojmë për shokun e skuadrës është pjesë e DNA-së të këtij ekipi. Kjo është rruga që duhet ndjekur, trajneri e kërkon dhe kjo është formula e fitoreve. Por të mos ngatërrohemi të mendojmë gjëra të tjera. Objektivi është i qartë dhe është mbijetesa. Do të vijnë momente të vështira, edhe pse në fakt duhet të përfitojmë dhe ta shijojmë këtë që po kalojmë”, deklaroi mbrojtësi i përfaqësueses.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"