I bllokojnë makinën dhe mbetet në kufi, mesfushori tërbon Luftëtarin. Administratori Çavo tregon problemin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 18:24

I bllokojnë makinën dhe mbetet në kufi, mesfushori tërbon Luftëtarin. Administratori Çavo tregon problemin

I vetmi futbollist që nuk i është bashkuar ende Luftëtarit në stërvitje është mesfushori Donaldo Açka. Ky i fundit u largua drejt Greqisë pranë familjes së tij menjëherë pas ndërprerjes së kampionatit më 12 mars. Kësisoj, për t’u rikthyer në Shqipëri, duhej një leje e veçantë nga autoritetet, duke qenë se kufijtë janë ende të mbyllur. Luftëtari kishte marrë masa për të mos pasur probleme lojtarët në kufi, pasi nga Greqia, përveç Açkës, më 18 maj do të vinte në Gjirokastër edhe mbrojtësi i majtë, Andon Karabina.acka donal

Klubi kishte njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe FSHF-në, kështu që nuk parashikoheshin probleme. Por, të hënën në Gjirokastër mbërriti vetëm Karabina dhe jo Açka, i cili nuk e kaloi dot pikën kufitare të Kakavijës. Mesfushori shkatërrues, i cili gjatë këtij sezoni ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në ndeshjet ku ka munguar Aurel Demo, u bllokua në kufi për shkak se nuk kishte me vete pasaportën shqiptare dhe as kartën e identitetit.

Mirëpo, Açka disponon edhe dokumente greke, duke qenë se prej vitesh është rezident në shtetin helen. Gjithsesi, kjo nuk mjaftoi për të ardhur dy ditë më parë në Gjirokastër, pasi në Kakavijë i bënë të ditur se nuk mund të kalonte pa dokumentet shqiptare. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, lojtarit 23-vjeçar iu hap rruga për të kaluar kufirin, por me kushtin që makinën personale ta linte në Kakavijë. Kjo e mërziti futbollistin, i cili informoi klubin se nuk mund të vinte në Gjirokastër pa marrë edhe makinën e tij, duke mos dashur ta linte në territorin grek.

Nga Luftëtari futbollisti iu bë e ditur që të gjente një mënyrë për të ardhur patjetër, por Açka këmbënguli se nuk mund ta linte makinën. Kjo, me sa duket, revoltoi drejtuesit, ndërsa lajmi u publikua edhe nga mediat greke, nisur nga fakti se për këtë situatë u ankua agjenti i futbollistit, i cili publikoi në rrjetet sociale një deklaratë.

REAGIMI I ADMINISTRATORIT

Administratori i Luftëtarit, Vangjel Çavo, ka reaguar dje për bllokimin e mesfushorit Açka, duke sqaruar situatën dhe paralajmëruar se futbollisti mund të gjobitet për këtë rast. “Ne si drejtues të klubit njoftuam në kohën e duhur Ministrinë e Jashtme për dy lojtarët tanë që ndodheshin në Greqi pas ndërprerjes së kampionatit. Lojtarët u informuan për këtë dhe u nisën drejt Gjirokastrës. Andon Karabina mbërriti, ndërsa Donald Açka ka mbetur në Greqi, pasi nuk u lejua të kalonte nga pika doganore e Kakavijës nga pala greke.luftetariii

Lojtari nuk ishte i pajisur me asnjë lloj dokumenti zyrtar shqiptar. I kishim thënë lojtarit një ditë para se të nisej për të qenë i kompletuar me dokumentet sipas të gjitha procedurave ligjore. Këtu nuk bëhet fjalë për çështje karantinimi të futbollistit, por për rregullsi të dokumentacionit. Açka është lojtar me kombësi shqiptare dhe si i tillë në Shqipëri do të hynte si gjithë të tjerët që banojnë në Greqi. Në ditët në vijim do të shohim se si do të veprohet me lojtarin”, deklaroi Çavo, ndërsa për portalin grek “xalkidikipolitiki.gr”, administratori i Luftëtarit u shpreh: “U dha një urdhër që futbollisti të kalonte, por pa makinën e tij.

Açka ishte kundër idesë që ta linte makinën në kufi dhe vendosi të mos vinte fare. Klubi do të veprojë sipas rregullave të brendshme dhe do të vendoset një gjobë për këtë veprim të lojtarit, por mund të diskutojmë edhe për një ndërprerje të kontratës. Klubi pret një falje publike pas reagimit që bëri agjenti i futbollistit, i cili shpërndau lajme të pavërteta për këtë histori”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"