I bindur se Luftëtari do të mbijetojë, trajneri Çoçlli: Kam ide të qarta …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2020 | 18:52

I bindur se Luftëtari do të mbijetojë, trajneri Çoçlli: Kam ide të qarta …

Ndeshja miqësore me Lushnjën, për trajnerin Nikolin Çoçlli tregoi përpikëri në zbatimin e detyrave tekniko-taktike dhe rritje të dukshme të nivelit fizik. Një ditë pas barazimit 1-1 me Lushnjën, lidhur me nivelin e boshtit të skuadrës së 17 javëve të para, si dhe afrimet e ditëve të fundit, për “Panorama Sport”, ai u shpreh i bindur për idetë e tij. 

Coclli-Nikolin-trajneri-i-Partizanit

“Ndeshja me Lushnjën na shërbeu si staf drejtues për të parë realisht kondicionin e lojtarëve. Ata kanë besimin tim dhe unë kam besim të plotë tek ata. Me konfirmimin tim si trajner, bashkë me Novin, kemi punuar seriozisht për të rritur moralin e skuadrës.

Ky aspekt për mua është shumë i rëndësishëm, pasi lojtarët e mi janë të rinj dhe kanë nevojë për më shumë besim dhe mbështetje. Ne do të funksionojmë si trup i vetëm, që të arrijmë objektivat tanë. Rezultati i ndeshjes me Lushnjën nuk ishte primar për ne si staf. Në fushë, lojtarët treguan shpirt gare dhe përkushtim”, tha fillimisht Çoçlli. Lidhur me potencialin e prurjeve në këto ditë merkatoje dimri, Çoçlli u shpreh se pret nga ata.

“Lojtarët e afruar janë të rinj, u duhet të ingranohen me boshtin e skuadrës aktuale. Momentalisht janë afruar disa lojtarë dhe një pjesë e tyre do të jetë pa dyshim në funksion të kontingjentit për të arritur objektivin, qëndrimin në Superiore. E kam fjalën për Aleksandër Zaimin, Rimal Haxhiun, Arbër Mehmetllarin, Arlis Shalën, Do Santos e ndonjë tjetër.

luftetariii

Gjithsesi dhe të tjerët do të plotësojnë skuadrën si Tahiraga, Karabina, Brahilka dhe më të mirën për fanellën kësisoj do të futemi në garë për të dhënë e Luftëtarit. Gjithçka është e lidhur me rrjedhën e merkatos, por ne i kemi idetë e qarta për të ardhmen. Do të thosha se i kemi piketuar titullarët, ku pa dyshim do të mbështetemi te boshti i lojtarëve të ekipit aktual. Me lojtarë të rinj të përkushtuar për të dhënë maksimumin në stërvitje dhe në çdo ndeshje, besoj se do t’ia dalim. Mora përsipër drejtimin e Luftëtarit për të arritur së pari objektivin madhor, mbijetesën, dhe promovimin e talenteve”, përfundoi Çoçlli.

luftetar

Luftëtari, në harkun e një jave ka realizuar tri miqësore. Ka fituar 1-2 me Butrintin, 0-1 me Skënderbeun dhe 1-1 me Lushnjën. Me dy seanca në ditë, gjirokastritët vijuan edhe dje përgatitjet, me qëllim përmirësimin e komponentit taktik. Paraditen e djeshme, stafi teknik punoi me lojtarët e mbrojtjes dhe pasdite me ata të sulmit. Në ndeshjen mbyllëse me Kukësin, trajneri Çoçlli do ketë të padisponueshëm Aurel Demon për plotësim të numrit katër të kartonëve të verdhë.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"