I bëhet “ves” goli, mesfushori Hoxhaj: Jemi Besa, mundim Korabin dhe bëjmë rokadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 15:55

I bëhet “ves” goli, mesfushori Hoxhaj: Jemi Besa, mundim Korabin dhe bëjmë rokadë

Nertil Hoxhajt po i kthehet në “ves” goli. Pasi shënoi në Cërrik për kampionat, ndëshkoi edhe Pogradecin në Kupë. Mesfushori që luajti si sulmues në këtë sfidë, dëshmoi edhe një herë se është një “xhol” për Ndriçim Kashamin. Duket se ai do të jetë “në konkurrencë” me Mikel Cankën për golashënues, madje nuk ngurron që të bëjë edhe shaka me lushnjarin, teksa jep një prononcim për “Panorama Sport”:

nertil hoxhaj

“Sigurisht që goli të shton moralin, përveç kënaqësisë. Kjo vlen për mua, por edhe për shokët. Jemi si një familje dhe shpresoj e uroj të shënoj edhe në ndeshjet e tjera, por pa ‘konkurruar’ Cankën (qesh dhe sheh nga Canka, të cilin e ka pranë)”. Verdhezinjtë do të presin të shtunën Korabin kryesues dhe trepikëshi do të vlente shumë më shumë. Hoxhaj beson te pikët e plota, ndërsa ndeshjet në shtëpi i quan një detyrim.

“Jemi mjaft të karikuar dhe të bindur se ndeshjet në shtëpi nuk duhen diskutuar me asnjë kundërshtar. Kjo, nëse vërtet duam të rikthehemi në Superiore. Nuk kemi asnjë të dëmtuar e grupi do jetë i plotë. Kam dëgjuar shpesh kolegët e mi të vlerësojnë kundërshtarët dhe më duket normale. Por, unë i përkas asaj kategorie që sa herë hyj në fushë, mendoj se më të mirë se Besa nuk ka. Me këtë dua të them se Korabi me meritë ka sot 6 pikë, por ne jemi Besa, me tjetër histori e peshë fanelle. Çdo ekip kur luan ndaj nesh, motivohet dyfish.

Këtë pres edhe nga Korabi, por ne kemi një tjetër motivim. Objektivi ynë është madhor: Superiorja. Fitorja do të sjellë ndërrim vendesh mes nesh e Korabit. Të gjitha sa thashë, dëshmojnë se e kemi vlerësuar Korabin maksimalisht”, tha 24-vjeçari. Në Kavajë rikthehet Artan Mërgjyshi si kundërshtar, i cili njeh dhe ka trajnuar gati 50% të skuadrës kavajase. E megjithatë, Hoxhaj nuk mendon se do të ndikojë ky fakt.

“Unë vjet nuk kam qenë pjesë e Besës dhe aftësitë e trajnerit Mërgjyshi i çmoj dhe vlerësoj shumë, por ndikim nuk ka. Me teknologjinë e sotme, mund ta ndjekim direkt kundërshtarin. Ajo që bën ndryshimin në të tilla raste janë vetë cilësia e lojtarëve që ke. Sado udhëzime të japë Mërgjyshi, gjithçka varet nga futbollistët. Shto këtu lojtarë si Çela, Canka, E.Hoxha dhe unë, të gjithë titullarë që sivjet i jemi bashkuar Besës”, përfundoi Hoxhaj.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"