I arratisuri në vitin 1971: Takimi me Aleksandër Kondon, para aksidentit kishte humbur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2018 | 12:18

I arratisuri në vitin 1971: Takimi me Aleksandër Kondon, para aksidentit kishte humbur…

Takimi i parë me Aleksandër Kondon, kampionin e peshëngritjes që u arratis në 25 maj të vitit 1985 dhe përjetimet nga çasti i aksidentit fatal, që i mori jetën atij në 1 maj të vitit 1987, kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e Kujtim Kallaxhiut.

Nga mënyra si u kthehet këtyre dy ngjarjeve të pazakonta, i arratisuri i vitit ’71, të krijon përshtypjen se bën fjalë për një të afërt të tij, paçka se është njohur rastësisht dhe është ndarë me të papritur ditën e tragjedisë.

Kujtim Kallajxhi

Kujtim Kallajxhi

Kallaxhiut i ka mbetur në mendje kontakti i parë me Kondon te piceria e Ramiz Danit në New York, ku është interesuar për të mësuar prej tij diçka mbi fatin e familjarëve, me të cilët kishte humbur lidhjet prej 20 vitesh.

“Aleksandrin e kam njohur porsa erdhi në Amerikë. Sa mora vesh për të, kërkova ta takoj. Në atë kohë takoja të gjithë të arratisurit që vinin ne Neë York, se doja të mësoja për familjen që kisha lënë në Shqipëri. Ca më tepër në rastin e tij, si një i arratisur që vinte nga Tirana. Kjo më jepte një lloj shprese se mund të mësoja ndonjë gjë për fatin e familjarëve, me të cilët kisha 20 vite që s’kisha asnjë komunikim. Takimi i parë ka qenë te piceria e shqiptarit Ramiz Dani, një ish-i arratisur nga Kruja në vitin 1944. Ai ishte nipi i Abaz Kupit dhe e kishte kthyer picerinë në një qendër takimi për të arratisurit nga Shqipëria. Piceria ishte në Neë York në lagjen Queens, periferia Kew Garden. Aty më ka prezantuar me të Ramiz Dani dhe kemi biseduar për orë të tëra. Më erdhi keq që nuk kishte ndonjë njohje me familjarët e mi, por mësova shumë për situatën në Shqipëri”, thotë Kallaxhiu.

Sipas tij “Në Amerikë nuk e ushtroi sportin, bile nuk bëri as përpjekjen më të vogël t’i rikthehej atij. U fut në punë, fillimisht në punë të rëndomta, që i ndërronte shpesh. Fati, me sa dukej, s’ishte me të. Po edhe ai vetë ishte i papërgatitur t’i vinte shpatullat punës. Jetesa në Tiranë dhe privilegjet si sportist, kishin bërë të vetën. Mbaj mend që me të ardhurat e para që siguroi bleu një makinë të përdorur të tipit “Nissan”. Atë e kishte pasion, po njëherazi kishte pasion shpejtësinë në udhëtimin me të. Po makina donte shërbime, që do të thoshte shpenzime ekstra. Të hollat, që kishte, nuk i mjaftonin. Ca më tepër që kohët e fundit mbeti dhe pa punë. Ishte kjo arsyeja që makinës ia kishte varur, aq sa shpesh udhëtonte vetëm me frenat e dorës. Të tjerat i kishin shkuar në disk. Këtë e shikoja me sytë e mi, sa herë hipja në makinën e tij… Aleksandri, së fundi, kishte humbur vendin e punës dhe jetonte me të ardhurat modeste të kishës. Ai çdo të mërkurë dhe të diel shkonte në kishën Ortodokse Shqiptare në Queens dhe merrej me pastrime të ndryshme. Aty hante e flinte. Prej andej u nis edhe ditën kur bëri aksidentin…”

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"