Hysi lë Lushnjën për Korabin, flet Canaj: Jemi në lojë për… kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2021 | 10:38

Hysi lë Lushnjën për Korabin, flet Canaj: Jemi në lojë për… kreun

Korabi përforcohet pa u mbyllur ende sezoni. Nga Lushnja vjen Geraldo Hysi. Mesfushori ka mbyllur para kohe aventurën me verdhejeshilët. 22-vjeçari është rikthyer në Tiranë dhe stërvitet me dibranët, ku edhe ka qenë më parë. Këtë e konfirmon vetë ai, gjatë një bisede për gazetën:

HYSI

“Unë nuk jam më pjesë e Lushnjës. Kisha një kontratë 1-vjeçare, por për arsye personale jam rikthyer në Tiranë dhe stërvitem me skuadrën e Korabit. Jam munduar të bëj më të mirën te Lushnja dhe kam arritur të shënoj edhe një gol. Ka qenë një tjetër eksperiencë imja në Kategorinë e Parë. Falënderoj klubin e Korabit që në këto momente më dha mundësinë të stërvitem me skuadrën. Me përfundimin e sezonit do të shoh ofertat që do të më vijnë”.

Sakaq, dibranët luajnë sot në “Liri Ballabani” me Burrelin kryesues. Një fitore do t’i kthente në lojë për kreun, mision që te Korabi e kanë ende. Një gjë të tillë e pohon për “Panorama Sport” edhe Agim Canaj. Trajneri e cilëson një përballje delikate dhe të vështirë, por kjo nuk i heq të drejtën të lakmojë pikët.

CANAJ

“Kemi një sfidë të vështirë nesër (sot). Burreli kryeson grupin, por ne si në çdo sfidë do të futemi në fushë vetëm për fitore. Do të luftojmë deri në fund për promocionin Superiore. Në lojë janë 15 pikë. Kryesore për ne është të luhet një futboll i pastër dhe i drejtë. Rezultatin le t’ia lëmë fushës, që do të tregojë dhe kush është më i miri”, përfundoi vlonjati.

A.ALUSHI/ F.ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"