Hysenshahaj: E falënderojmë Lushnjën për “mësimin” që na dha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 21:21

Hysenshahaj: E falënderojmë Lushnjën për “mësimin” që na dha

Apolonia vetëm një javë iu gëzua vendit të dytë. Mjaftoi ajo humbje në Lushnjë, që të vinte rokadën në pozicione. Edhe pse fituesi nuk gjykohet, në Fier kanë ende pretendimet e tyre për atë penallti të kundërshtarit që solli barazimin. E megjithatë, kontakti i Sotës ishte i dukshëm, ndonëse i panevojshëm (pasi porta e Harizajt nuk rriskohej dhe mbrojtësi mund ta evitonte).

Apolonia Elbasani

ANALIZA

Bardhejeshilët i “qajnë” ende pikët e lëna në “Roza Haxhiu” dhe është kapiteni ai që analizon 90-minutëshin e fundit. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, Taulant Hysenshahaj, një nga më të mirët në këtë transfertë, shfaq keqardhje për këtë disfatë.

Hysenshahaj

“Normalisht që jemi të pakënaqur nga kjo ndeshje. E kishim përgatitur mirë dhe nuk e prisnim humbjen. Shënuam të parët, por u barazuam shpejt dhe kjo gjë na goditi. Nuk mund të flas për penalltinë, le ta gjykojnë specialistët, por do doja të fokusohesha te skuadra jonë. Ne kemi ekip me lojë shumë më të mirë se Lushnja, por me shumë më pak përvojë se ata. Lushnjës nuk i ndikojnë edhe aq mungesat, sepse ata kanë eksperiencë më shumë se çdo skuadër tjetër e grupit tonë dhe e kompeticionit në tërësi. Ndërsa te ne, situata ndryshon. Mungesat luajnë jo pak rol. Nuk duhet të ankohemi për humbjen, sepse e merituam, sidomos me lojën e pjesës së dytë. Por ka ardhur koha që duhet të nxjerrim mësime për vazhdimësinë. Madje, le ta ‘falënderojmë’ Lushnjën për mësimin e radhës që na dha, si edhe fazën e parë. Pse fiton një ekip që e luan topin më pak se ne, një ekip më pak i freskët fizikisht. Këtu duhet të nxjerrim mësimet tona, për të mos dështuar në një ballafaqim tjetër të ardhshëm me ta”, u shpreh fillimisht 27-vjeçari.

RIKUPERIMI

Përtej një shkalle zbritëse në renditje, kapiteni i Apolonisë shprehet se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për të rikuperuar në rezultat qysh kësaj jave që vjen.

“Le ta harrojmë Lushnjën, sepse kemi forcat e duhura të vazhdimësisë. Rikthehemi në fushën tonë këtë fundjavë dhe luajmë kundër Turbinës, një skuadër që po bën progres javë pas jave. Është kundërshtar i vështirë, nuk e them për kortezi, por ne duhet të bëjmë ‘detyrën e shtëpisë’, të fitojmë dhe kaq, pa shkuar ndër mend rezultat tjetër alternativ. Gara vazhdon dhe Apolonia është në “lojën’ e kreut gjer në fund”, përfundoi kapiteni.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"