Hysenshahaj ‘djeg’ Pogradecin: Lushnja, rivali ynë kryesor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 23:52

Hysenshahaj ‘djeg’ Pogradecin: Lushnja, rivali ynë kryesor

Rikthehet derbi i Myzeqesë Lush nja-Apolonia në fundjavë, në “puntatën” e dytë të Grupit B të Kategorisë së Parë. Do të luhet në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe të dyja ekipet nuk duan të humbasin terren me Pogradecin e vendit të parë, skuadër që së paku gjer tani po thyen parashikimet. 

safe_image

Gjithsesi, kësaj jave Lushnja dhe Apolonia e kanë “davanë” mes tyre, paçka se “një vesh e një sy” do ta kenë edhe në rezultatin e Pogradecit ndaj Ilirisë. Ndeshje e vështirë në Lushnjë, e paparashikueshme në rezultat, por me një Apoloni që do të udhëtojë për 3 pikët e radhës në qytetin fqinj.

 HYSENSHAHAJ – Janë më në “adrenalinë” fierakët, kanë bërë shumë më mirë se kundërshtari javët e fundit, ndaj besojnë në vazhdimësi. Dhe këtë opinion për gazetën tonë e thotë kapiteni fierak, Taulant Hysenshahaj. “Po kalojmë momente të mira, të pritshme, mbase edhe pak të vonuara, – shprehet Hysenshahaj. – Jemi rritur si grup, duket qartë në lojë dhe në rezultate kjo gjë, por duhet vazhdimësi gjer në fund të sezonit. Uroj t’ia dalim me këtë grup, që ka grintë dhe dëshirë, por… gara është e gjatë”. Kapiteni i Apolonisë ndalet në sfidën me Lushnjën, duke mos e fshehur thirrjen për kujdes, por as optimizmin për fitore në këtë 90-minutësh.

hysenshahaj

“Luajmë një derbi në transfertë me Lushnjën, ekip që meriton respekt total. Pa mohuar ecurinë e Pogradecit gjer tani, mendoj se Lushnja do të jetë rivali ynë kryesor në garën për Superioren. Nuk kanë vend për histori ndeshjet mes Lushnjës dhe Apolonisë, as për pozicionin aktual në renditje, as se në çfarë fushe luhet. Drejt Lushnjës do të shkojmë për të dëshmuar Apoloninë e vërtetë dhe objektivi minimal është që të mos humbasim. Jo, nuk është frikë dhe as dyshim në forcat tona, aspak. Kemi ekip shumë të mirë dhe fitorja është objektivi ynë kryesor, e thashë që barazimi është më minimalja”, deklaron mes të tjerash për “Panorama Sport” kapiteni i skuadrës fierake, Hysenshahaj.

Apolonia vjen pas fitores së thellë 7-0 me Elbasanin dhe shpreson që edhe me Lushnjën të gjejë rrugën e rrjetës pa problem. Derbi i fazës së parë mes Apolonisë dhe Lushnjës u luajt në stadiumin e Ballshit, ku fitoi Lushnja me rezultatin 1-2. Javën e fundit fierakët i parakaluan lushnjarët në renditje dhe në ndeshjen e kësaj jave u intereson që minimalisht t’i mbajnë ata prapa në renditje. Dhe për këtë duhet patjetër barazimi.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"