Hyseni: Tani që m’u hoq dënimi, do nxjerr “xixa” kundër Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2020 | 20:21

Hyseni: Tani që m’u hoq dënimi, do nxjerr “xixa” kundër Laçit

Luftëtari është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjet antiLaç. Thuajse gjithçka është gati, ndonëse seancën e djeshme iu desh që të “luftonin” me erën që pushtoi Gjirokastrën. Për më shumë se 120 minuta, Neritan Novi u kërkoi të tijve zbatim deri në perfeksion të detyrave taktike. Pas ushtrimeve aerobike dhe atyre me karakter fizik, trajneri organizoi edhe një lojë brenda grupit, me qëllim korrigjimin dhe eliminimin e mangësive të shfaqura ndeshjet e fundit.luftetariii

Humbja 4-0 me Vllazninë ka mjaftuar që trajneri Neritan Novi të punojë shumë me lojtarët e fazës defensive, teksa “improvizoi” disa herë vendosje të sulmuesve para mbrojtjes. Tekniku i mëshoi edhe qarkullimit të topit me dy-tri pasime, daljen me shpejtësi nga krahët si dhe shfrytëzimin e rasteve të krijuara para portës kundërshtare.

Loja u ndal disa herë, pasi Novi priste përmirësimin e pasin final drejt lojtarëve sulmues, aq sa hera-herës dëgjohej të thoshte: “Mos e mbani topin më shumë se sa duhet. Shfrytëzoni hapësirat e lëna bosh nga mbrojta kundërshtare. Ruani për çdo fragment sekonde përqendrimin, pasi Laçi të ndëshkon kur nuk e pret”. Këto ishin këshillat e trajnerit adresuar të tijve, gjatë stërvitjes që nisi në orën 11:30 në “Fushën e Vjetër” .

HYSENI – Eraldo Hyseni do të rikthehet titullar. Me largimin e Nikolin Çoçlit, ai dhe Gresild Lika u falën. Pezullimi për thyerje disipline i përket së shkuarës, ndaj edhe numri 8 i Luftëtarit pritet që të jetë një forcë më shumë në mesfushë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 20- vjeçari premton se do të nxjerrë “xixa” në fushë, tashmë që iu hoq dënimi dhe këtë e sheh si një formë për të shpërblyer besimin e stafit teknik dhe atij drejtues.erald hyseni

“Si çdo lojtar që kërkon të jetë protagonist në fushë, edhe unë këtë gjë kërkoj në çdo ndeshje. Kundër Flamurtarin kisha lashë pas një dëmtimin dhe mendova se do merrja më minuta. Në momentin e zëvendësimit të fundit, prisja që të futesha në lojë, por kjo nuk ndodhi. Dhe lashë pankinën pak minuta para përfundimit të takimit. U dënova nga trajneri dhe klubi, e me të drejtë. Tashmë që trajneri i ri Novi më rehabilitoi, më duhet të përligj besimin e tij. E falënderoj atë dhe gjithë drejtuesit për faljen e dënimit dhe premtoj se do të jap më të mirën time në fushë.

Laçi? Nuk ka arsye t’i frikësohemi. Përkundrazi, do hyjmë në fushë për fitore, pasi nuk kemi çfarë humbasim. Me përgjegjshmëri maksimale dhe me besim te cilësitë tona si lojtarë, të shtunën kemi për detyrë shtëpie marrjen e trepikëshit. Edhe pse humbëm në Shkodër me rezultat të thellë, asnjëherë se kemi menduar të dorëzohemi para kohe. Nuk do falim askënd, cilido kundërshtar të jetë. Laçi është skuadër e fortë dhe luan mirë në fushën kundërshtare, por ne luajmë në shtëpi dhe do kërkojmë vetëm 3 pikët”, përfundoi Hyseni.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"