Hyseni: Kam pasur oferta nga klube me emër jashtë Shqipërisë, dëmtimet më sollën te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2017 | 19:46

Hyseni: Kam pasur oferta nga klube me emër jashtë Shqipërisë, dëmtimet më sollën te Flamurtari

Alesio Hyseni është i bindur se Flamurtari do të shkojë më larg këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, talenti rrëfehet për gjithçka, duke filluar që nga ëndrrat, pasionet e për të kaluar te objektivat.

Hyseni

Mesfushori i Flamurtarit, që identifikohet edhe si lojtari i Peruxhia Primavera, kërkohej nga klubet elitare si Juventus, Milan, Atletiko Madrid, Vijareal dhe Sevija, por disa probleme fizike të dy viteve të fundit bënë që ai të zgjidhte Shqipërinë dhe pikërisht Vlorën.

Alesio Hyseni

Në Itali, ai ka qenë i grumbulluar edhe nga ekipi i parë i Peruxhias. Edhe pse ka lindur në Itali, Alesio ndihet vlonjat. Më parë ai është aktivizuar edhe te Kombëtarja shqiptare U-17, U-19, ndërsa dëshiron që të ketë një ftesë edhe për te Shpresat.

Alesio, si ka nisur karriera juaj në futboll?

Futbollin e kam nisur në moshën 9-vjeçare në Pasinjano, në vendin ku jetoj në Itali. Në moshën 12-vjeçare kalova te Peruxhia dhe aty qëndrova deri kur mbusha 19 vjeç.

Kur isha 17 vjeç fillova fazën me ekipin e parë dhe gjatë vitit bëja stërvitje me ata dhe pastaj luaja me ekipin Primavera. Por 2 vitet e fundit kam patur shumë probleme fizike. Vitin e parë jam operuar në gishtin e madh dhe vitin e dytë ndjeva sërish shqetësime. Kjo ishte edhe një arsye se përse erdha në Shqipëri.

I keni kaluar këto probleme tani?

Po, po, i kam kaluar. Tani jam shumë mirë dhe në formën e duhur.

Përse zgjodhët Flamurtarin?

E zgjodha Flamurtarin sepse jam vlonjat. Nuk mund të bëja zgjedhje tjetër në Shqipëri.

Dimë se keni pasur edhe oferta nga klubet elitare në Itali dhe Spanjë. Përse nuk vendosët për to?

Po, është e vërtetë që kam pasur shumë oferta edhe nga disa klube me emër jashtë Shqipërisë, por ju thashë se kam pasur dy dëmtime të njëpasnjëshme dhe ndaj zgjodha të kthehesha në vendin e familjes sime, në Shqipëri.

Trajneri Duro ju mbajti sërish në Vlorë. Si ndiheni për këtë fakt?

Më vjen mirë që trajneri Duro më kishte në planet e tij. Uroj që me përkushtimin dhe punën time të ndihmoj sadopak ekipin dhe mbi të gjitha të justifikoj besimin e trajnerit.

Si po përgatitet skuadra në Maqedoni?

Në Maqedoni po punojmë shumë dhe me ngarkesa maksimale. Po bëhet një stërvitje serioze dhe impenjative.

Sa jeni ambientuar te Flamurtari?

Të them të drejtën, në Vlorë u ambientova që në muajt e parë, falë shokëve të skuadrës që më mbështetën në çdo moment.

Me kë keni më shumë shoqëri nga shokët e skuadrës?

Me Franc Veliun kam miqësi të hershme. Madje, ai më ka qëndruar shumë pranë që unë të ambientohesha sa më shpejt. Por natyrisht që qëndroj edhe me shokët e tjerë të ekipit.

Ku mund të shkojë ky Flamurtar?

Unë jam optimist dhe në këndvështrimin tim, pa bërë premtime, ekipi mund të shkojë shumë larg. Kam besim te shokët e skuadrës, gjithashtu dhe te stafi teknik. Uroj që të kemi vazhdimësi pozitive. Unë jam vlonjat dhe si i tillë dua të fitoj me këtë ekip. Dëshiroj që Flamurtari të shkojë sa më larg.

Po nga ana personale çfarë dëshironi të arrini?

Nga ana personale dëshiroj shumë. Por do të doja pse jo një ftesë nga ekipi i Shpresave të Shqipërisë.

Kush ka qenë trajneri i parë nga i cili keni marrë leksionet e futbollit?

Trajneri im i parë ka qenë Marko Di Loreto.

A keni një idhull, të cilit dëshironi t’i ngjani?

Më pëlqen shumë De Rosi.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Kuzhina italiane është më e preferuara për mua, për shkak se unë jam rritur në Itali. Por po ambientohem edhe me atë shqiptare.

Familja juaj jeton në Itali, apo është kthyer së bashku me ju?

Jo. Jetojnë në Itali. Unë jetoj vetëm në Vlorë, por familjarët vijnë shpesh dhe më takojnë.

E fundit, a jeni i dashuruar?

Ende jo. Është shpejt (qesh). Më duhet të shikoj karrierën një herë, pastaj të tjerat…

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"