Hysenbelliu: Adrenalinë e paparë, të rinjtë duhet të regjistrohen në këtë sport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 11:05

Hysenbelliu: Adrenalinë e paparë, të rinjtë duhet të regjistrohen në këtë sport

Fatmir Hysenbelliu ka qenë protagonist absolut në suksesin e djeshëm të skuadrës “Prestige”. Shënoi dy gola në fitoren e thellë 7-0 kundër boshnjakëve të Kontakt BiH-SBG dhe më pas bëri performancë të shkëlqyer edhe në fitoren 3-1 kundër rumunëve të Coriolan Bacau.

ekipi

Në intervistën për “Panorama Sport”, kapiteni i “Prestige” thotë se ky është një sport që të ofron shumë adrenalinë dhe u bën thirrje të rinjve shqiptarë që të regjistrohen në kampionat në të ardhmen, pasi së shpejti ky do të jetë sport olimpik. Hysenbelliu shpreson që skuadra e tij të arrijë vendet e para në Champions-in e minifutbollit dhe pse jo të luftojë edhe për titullin kampion.

A i kishit menduar dy fitore që në start?

Ne kemi ardhur me objektivin që të fitojmë të gjitha ndeshjet dhe normalisht luftuam fort edhe në këto dy takime. Megjithatë, nuk e prisnim që do të fitonim me rezultate kaq të mira, 7-0 dhe 3-1.

Çfarë ndryshimesh ka ky kompeticion në krahasim me Europianin?

Europiani luhet me Kombëtaren, ndërsa këtu shfaqin potencialin e tyre lojtarët e klubeve përkatëse. Ajo që mund të them është se ekipi “Prestige” ka elementë më cilësorë sesa lojtarët e Kombëtares që luajtën atje. Kjo është edhe një nga arsyet e suksesit. Ne kemi pasur edhe dy mungesa, Herand Mërtiri dhe Olsi Klosi, të cilët nëse do të ishin të gatshëm, do të kishim qenë akoma më të fortë në këto dy ndeshje. Për arsye personale, ata nuk mundën që të vinin.

Ju kënaq më shumë fakti që do kaloni turin apo që “Prestige” është skuadra e parë shqiptare që po shtron rrugën në këtë kompeticion?

Na kënaq që kaluam turin me pikë të plota dhe me diferencë golavarazhi prej 10 golash dhe që ndeshjen e tretë e luajmë me qetësi. Ata që kanë luajtur më pak do të aktivizohen në këtë takim, ndërkohë të tjerët do të jenë më të freskët dhe më të përqendruar për ndeshjen “play-off”.

hysenbelliu1

Cili është objektivi i skuadrës “Prestige” pas këtyre dy fitoreve?

Objektivi ynë ka qenë gjithmonë që të arrijmë sa më lart dhe të kapim vendet e para, por meqenëse marrim pjesë në këtë kompeticion për herë të parë, nuk e dinim forcën e skuadrës sonë dhe të kundërshtarëve. Tani, pas dy fitoresh dhe pas paraqitjeve të mira, do të synojmë vendet e para dhe pse jo edhe titullin kampion. E them këtë duke marrë shkas edhe nga cilësia e ekipeve të tjera, sepse Coriolan Bacau, me të cilin ne u ndeshëm dje, ishte shumë i fortë. Ndërkohë, edhe rivali i sotëm, Mexicans, është shumë i fortë, i cili ka një fitore dhe një humbje.

Çfarë mesazhi keni për të rinjtë shqiptarë që e ndjekin këtë kompeticion dhe që futbollin e kanë pasion?

Ky është një sport i ri që luhet nga sportistë të rinj apo ish-futbollistë që nuk luajnë më futboll ose nuk janë të federuar në ekipe të ndryshme. Është një kompeticion që po ngrihet vit pas viti. Është sezoni i katërt i këtij sporti, që shumë shpejt do të bëhet edhe sport olimpik. Rregullat i ka interesante, sepse janë të ngjashme me ato të basketbollit. Është një sport që ka adrenalinë tjetër, sepse kur luan 11 kundër 11 dhe zëvendësohesh, atëherë nuk ke mundësi të kthehesh më në fushë. Ndërsa, këtu është ndryshe, sepse funksionon me “time-out” si në basket. Mund të futesh dhe të dalësh nga fusha disa herë. Koha është më e shkurtër, sepse një pjesë loje është 20 minuta. Pra, nëse ke bërë një ndeshje të dobët, mund të dalësh, të rikuperosh energji dhe të futesh sërish. Edhe taktikisht trajneri është shumë i përfshirë, sepse ka mundësi që të ndërrojë disa herë ekipin gjatë lojës. Mua dhe shokëve të mi faktikisht po na pëlqen shumë sepse ka adrenalinë të paparë. U sugjeroj të rinjve në Shqipëri që e kanë pasion futbollin dhe sidomos atë të kalçetove, gjashtë kundër gjashtë, që të marrin pjesë në kampionat. Ka shumë futbollistë të Superiores që kanë dëshirë të luajnë kalçeto dhe u bëj apel që të marrin pjesë masivisht në këtë sport të ri. Do të bëhet shumë popullor dhe së shpejti do të jetë edhe sport olimpik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"