Hysaj parakalon Lilën, para ka dy kapitenët e tij dhe legjendën e portës kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2022 | 21:39

Hysaj parakalon Lilën, para ka dy kapitenët e tij dhe legjendën e portës kuqezi

Elseid Hysaj ka nisur ndeshjen e sotme ndaj Izraelit si kapiten i përfaqësueses shqiptare, duke u ngjitur tashmë në kuotën e 71 ndeshjeve me fanellën kuqezi.

hysaj

Mbrojtësi i cili ka debutuar me Shqipërinë në vitin 2013, është tashmë i vetëm si lojtari i 9 me më shumë prani me fanellën e kombëtares shqiptare, duke lënë pas Andi Lilën i cili ishte ndalur në kuotën e 70 ndeshjeve.

Para tij, në renditjen e të gjitha kohëve janë 3 futbollistë që janë ndalur në kuotën e 73 ndeshjeve për momentin, me vetëm një prej tyre që mund të përmirësojë këtë shifër. Ai është kapiteni i kombëtares, Etrit Berisha, i cili nuk luan sot. Të njëjtin numër ndeshjesh kanë edhe dy futbollistë të tjerë që kanë mbajtur shiritin e kapitenit kuqezi, Ansi Agolli dhe Foto Strakosha.

I pakapshëm në vendin e parë për momentin mbetet Lorik Cana me 93 ndeshje të luajtura me fanellën e përfaqësueses.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"