Hysaj-Napoli, zbulohet arsyeja pse nuk realizohet rinovimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 11:06

Hysaj-Napoli, zbulohet arsyeja pse nuk realizohet rinovimi

Rinovimi i Elseid Hysajt me Napolin është shtyrë për javën tjetër. Ndonëse drejtori sportiv i klubit, Guintoli, është takuar me menaxherin e tij, Xhiufredin, palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Elseid Hysaj

Eksperti i merkatos në Itali, Alfredo Pedulla, ka shpjeguar situatën që ka lindur pas takimit që u organizua dje në Bolonja.

“Mario Xhiufredi, menaxheri i Hysajt, ka takuar drejtorin sportiv Guintoli në Bolonja për të folur për një rinovim apo përmirësim të kontratës, e cila mbyllet në vitin 2020. Rinovim apo përmirësim, pasi në rast të zgjatjes së kontratës me Napolin deri në vitin 2021, do të kërkohet përfshira e një klauzole shitjeje.

308458774-neapel-elseid-hysaj-milan-bayern-1g1nHJ5gI9a6

Kjo është pikërisht pika ku nuk ka mirëkuptim. Hysaj do të preferonte të mos vendoste një klauzolë, por pa rinovimin, rroga që do t’i caktojë klubi do të jetë më e ulët.

Ndërkohë, mbrojtësi mendon se vjen pas një sezoni të rëndësishëm dhe ka shumë klube që i kanë hedhur sytë nga ai. Çështja do të zgjidhet pas një jave, në grumbullimin e Napolit, me shumë mundësi kur i pranishëm të jetë edhe presidenti De Laurentis”, shpjegoi Pedulla.

Gjithçka u konfirmua më pas edhe nga vetë Xhiufredi në një intervistë për “Radio CRC”. “Fola me Guintolin, por duhet të zhvillojmë bisedime të tjera. Për momentin nuk ka akord, por më duket diçka normale meqë ishte biseda e parë dhe do të duhet ndërhyrja e De Laurentis. Secili do të kërkojë atë që i intereson, Napoli që të përfshihet një klauzolë largimi, ne përmirësimin e rrogës. Gjithsesi, mendoj se do të gjejmë një akord që i kënaq të gjithë”, tha menaxheri i Hysajt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"