Hyrje-dalje në merkato, trajneri shpall objektivin: Emocione para debutimit, Tomori im do jetë… sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 10:19

Hyrje-dalje në merkato, trajneri shpall objektivin: Emocione para debutimit, Tomori im do jetë… sulmues

Largime dhe afrime nga Tomori. Aldrit Oshafi dhe Suel Çyrbja nuk do të jenë më pjesë e beratasve. E megjithatë, grupit do t’i shtohet Renato Spahiu. Sulmuesi pritet që të vijë në formë huazimi prej Bylisit dhe këto ditë do të mbyllet edhe marrëveshja. Nëse drejtuesit janë përqendruar në orët e fundit te merkatoja, stafi teknik dhe lojtarët kanë tjetër mision: ndeshjen e parë të 2022-shit. Vjen më në fund dita për të zbritur në fushë dhe kundërshtar do të kenë Burrelin. Luajnë në shtëpi dhe fitorja bëhet detyrim. Këtë e di më së miri edhe trajneri Klodian Arbëri. Gjatë një interviste të dhënë, trajneri analizon ekipin dhe shpalos objektivat.

KLODIAN ARBERI

Si kanë qenë këto tri javë në krye të Tomorit?

Angazhim maksimal dhe seriozitet. Tomori është familja ime, ndaj e kam pasur shumë të thjeshtë që të ambientohem. Akoma më të lehtë ma kanë bërë punën stafi dhe tifozët. Megjithatë, më duhet ta pranoj se kam në skuadër një grup që ka cilësi, por që i kam shokë dhe miq të mirë. Kjo i jep tjetër ngjyrim punës sonë.

Çfarë do të ndryshojë tek ekipi gjatë kësaj faze të dytë?

Duke vlerësuar punën e paraardhësit tim, vend për korrigjime sigurisht që ka. Ndryshimi do të jetë filozofinë e lojës dhe vendosjen në fushë. Pres një ekip që të ketë më shumë përgjegjësi në lojën me dhe pa top, sepse dua që të jemi efikasë në të dyja fazat e lojës. Mbi të gjitha, duam që të rikthejmë grintën sportive.

Cila do të jetë “arma” e kësaj skuadre?

Futbolli është një lojë kolektive, ndaj të gjitha repartet kanë peshën e vet në këtë ekip. Të gjithë presin që unë t’i jap më shumë përparësi lojës sulmuese dhe këtë do bëj, e premtoj. Kam fatin të kem jo vetëm sulmues rezultativë, por edhe 6 mesfushorë me tipare sulmuese apo mbrojtës që marrin pjesë në finalizimin e aksioneve. Kjo ma bën akoma më të lehtë, që ta bëj këtë Tomor sulmues.

Debutoni me Burrelin. Cili do të jetë objektivi?

Kam një jetë në futboll, por emocione kam në debutim. Besoj se me forcën që ka kjo skuadër, do ma bëjë më të lehtë këtë ndeshje. Me Burrelin kemi vetëm një qëllim: fitoren. Jo se mbivlerësojmë veten, por duam të tregojmë veten.

Realisht entuziazmi brenda dhe jashtë skuadrës është i dukshëm, por shumë pak flitet për objektivin final. Për çfarë luan Tomori këtë sezon?

Pyetja shtrohet me shumë të drejtë dhe unë nuk e kam aspak të vështirë përgjigjen. Do luftojmë për vendin e tretë minimumi, por nuk do të thotë se nuk kemi “oreks” për të dytin.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"