Hyka: Më mirë të mos luajmë fare nëqoftëse nuk kemi objektiva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2016 | 15:13

Hyka: Më mirë të mos luajmë fare nëqoftëse nuk kemi objektiva

Mesfushori i kombëtares shqiptare të futbollit, Jahmir Hyka, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp bashkë me mesfushorin tjetër Migjen Basha. Futbollisti i Luzernës ka folur për rikthimin në kombëtare pas gati 2 vjetësh, ndeshjen me Maqedoninë, shanset e Shqipërisë në grupin kualifikues dhe ofertën e ardhur për të nga Turqia.

hyka

Rikthehesh pas 2 vitesh në kombëtare dhe ishe në formacion me Marokun. Si e gjete ekipin në krahasim me atë që ke lënë?

U bënë 2 vjet dhe nuk është një kohë e vogël. Kanë ndryshuar shumë gjëra dhe siç u pa në fushë të gjithë lojtarët ishin të përqëndruar. Mund të them që shokët më pritën shumë mirë dhe u ndjeva mjaft mirë.

Çfarë të bëri më shumë përshtypje duke qënë se ti ke qënë në kohëra të ndryshme në kombëtare?

Më bëri përshtypje që secili nga lojtarët e dinte shumë mirë ç’duhet të bënte dhe u munduan të përshtateshin me skemat e reja të trajnerit.

Fryma në grup si të duket? Gjithnjë në krahasim me të kaluarën pasi ti ke ndryshuar disa trajnerë gjatë kohës që ke qënë në kombëtare…

Fryma në grupi është shumë e mirë dhe këtë gjë e tregoi dhe arritja e Europianit. Gjithashtu siç thashë dhe më parë, edhe mua më pritën shumë mirë tani që u riktheva dhe kjo tregon që ekziston një frymë grupi shumë e mirë.

Hyka ne aksion

E ndjen veten se mund të jesh titullar në eleminatore?

Këtë gjë nuk mund ta vendos unë. Secili nga lojtarët e grumbulluar është i rëndësishëm dhe do mundohet të japë kontributin e vet në këto eleminatore, pastaj se kush luan e vendos trajneri në varësi të ndeshjeve që i nevojiten këta lojtarë.

Në këto ditë të fundit të merkatos u lakua shumë emri juaj për shkak të formës së mirë që po kaloni dhe disa ekipe shprehën interes. A ka pasur oferta zyrtare?

Ka pasur një ofertë zyrtare nga Turqia por nuk u arrit marrëveshja pasi klubi i Luzernës nuk ishte dakort me ofertën që bëri klubi turk dhe si përfundim qëndrova aty. Nuk është se nuk jam i lumtur për këtë gjë.

Pra donit të largoheshit?

Nuk është se doja të largohesha me doemos, por normalisht kur vjen një ofertë shumë e mirë nga ana financiare duhet ta mendosh njëherë. Megjithatë ndihem mirë te Luzerna, jam i përqëndruar në këtë kampionat që kemi filluar dhe të shohim çdo ndodhë në vazhdim.

Jahmir Hyka

Për cilin ekip turk e ke fjalën?

Adanaspor.

Si e shikon ndeshjen me Maqedoninë duke qënë se është ndeshja e parë dhe një ndeshje mjaft e rëndësishme?

Tani nuk ka më ekipe të vogla ndaj besoj se ata mund të na krijojnë vështirësi. Do vijnë të luajnë të ngjeshur mbrapa dhe do kërkojnë pikë në “Loro Boriçi”, por nëqoftëse ne bëjmë lojën tonë siç kemi treguar edhe në Europian, besoj se mund të dalim me fitore.

Sulmi është pika më e dobët e Shqipërisë dhe jo vetëm që krijojmë pak por edhe ato nuk i shfrytëzojmë. Çfarë udhëzimesh ju ka dhënë trajneri dhe a mendon se duhet të ndryshojë diçka në raportin mesfushë-sulm duke qënë se edhe dje në stërvitje me sulmuesat është punuar kryesisht për goditjen e portës?

Nuk është e lehtë për sulmuesit duke parë që ne luajmë me 1 sulmues. Trajneri është munduar të na thotë që mesfushorët duhet ta mbështesin më shumë sulmuesin për të pasur më shumë prezencë në zonën kundërshtare.

Gjatë ndeshjes me Marokun ndryshua 3 herë skema, në fillim 4-1-4-1, më pas 4-4-2 dhe në fund 3-5-2. Ndihesh më mirë në rreshtimin e parë taktik?

Dihet që tek ekipi ku unë luaj po aktivizohem majtas në 4-4-2, por edhe në 4-3-3 ndihem mirë. 3-5-2 ishte diçka e re për mua por edhe kjo eksperiencë vlen pasi gjatë karrierës çdo lojtar mëson gjëra të reja.

jahmir hyka

Migjeni në një intervistë të mëparshme ka thënë që nuk e shikonte veten në futbollin e Zvicrës pasi aty nuk ka realisht ndonjë cilësi të madhe dhe preferonte më mirë të luante në Itali në një ligë më të ulët sesa në Zvicër. Ju çfarë mendoni për këtë?

Unë bëra 5 vjet që jam në Zvicër dhe jam mësuar tashmë ndërsa Migjeni ndihet më mirë në Itali pasi ka luajtur për një kohë më të gjatë aty. Siç e thashë unë ndihem mirë në Zvicër, por jetës nuk i dihet pasi karriera e futbollistëve është e shkurtër dhe duhet të jesh gjithnjë i përgatitur për aventura të reja.

Ku e sheh Shqipërinë të pozicionuar në këtë grup ku kemi rivalë si Italia, Spanja, Izraeli, Maqedonia dhe Lihtenshtejni?

Spanja dhe Itali dihet që janë pretendente kryesore të grupit, por ekipi jonë e ka treguar edhe në kualifikueset e kaluara që mund t’i shkaktojë probleme çdo kundërshtari. Nuk mund të them se në çfarë vendi do dalim, por besoj se mund të rivalizojmë deri në fund.

Duhet të kemi objektiva?

Besoj se po, ndryshe kot që të luajmë. Çdo ekip në këto eleminatore duhet të ketë një objektiv, dhe ashtu duhet ta kemi dhe ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"