Husein nuk ka dyshime për kthesën e Kastriotit: Të keqen e lamë pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 23:24

Husein nuk ka dyshime për kthesën e Kastriotit: Të keqen e lamë pas

Nigeriani i Kastriotit, Lukman Husein, pavarësisht rezultateve jo të mira të ekipit në fazën e parë, ka besim se krutanët në tri fazat e tjera do të jenë një “kockë e fortë” për çdo kundërshtar. Roli i tij natyral është mbrojtës, por 25-vjeçari që luan në disa pozicione mendon se skuadra ka luajtur mirë në tërësi, por nuk përligjen pikët e marra.

Husein

“Ky sezon ka nisur jo siç ne e prisnim dhe janë shumë arsye që kanë ndikuar. Ndryshimet e shumta në skuadër kanë ndikimin e vet, pasi përshtatja e të rinjve me lojtarët ekzistues kërkon kohën e vet, por ne jemi paralizuar edhe nga fillimi i vonë i fazës përgatitore. Krahas kësaj, ka dhe faktorë të tjerë, siç kanë qenë javë pas jave, dëmtimet që kanë çuar në mungesa në çdo ndeshje. Por në këto javë të para kemi pasur edhe mungesë fati, pasi disa kundërshtarë i kemi dominuar.

Gjithsesi, shpresoj që të keqen ta kemi lënë pas dhe tani me nisjen e fazës së dytë të fillojë edhe ngritja e Kastriotit. E nisim këtë fazë me një transfertë delikate, ndaj Dinamos, që për mendimin tim është një skuadër shumë e mirë. Ne do të japim më të mirën në fushë dhe shpresoj që t’ia dalim të marrim edhe një rezultat pozitiv. Nisur nga pozicioni në klasifikim, i kemi shumë të nevojshme marrjen e pikëve”, u shpreh Husein për “Panorama Sport”, një prej lojtarëve që prej vitesh luan me fanellën krutane.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"