Humbjet turpëruese të Kombëtares, Greva: Mungon eksperienca, ja çfarë duhet ndryshuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2022 | 23:25

Humbjet turpëruese të Kombëtares, Greva: Mungon eksperienca, ja çfarë duhet ndryshuar

Kombëtarja e basketbollit të femrave pak ditë më parë pësoi dy disfatat e radhës në ndeshjet ndërkombëtare, duke u mundur me rezultate turpëruese në eliminatoret e Europianit, këtë herë përballë Turqisë dhe Polonisë. Takime, ku përtej nivelit të lartë të kundërshtareve, u konfirmua momenti shumë i keq i sportit të koshit në vendin tonë.

astrit greva

Trajneri Astrit Greva, një prej figurave më të shquara të basketbollit shqiptar, ka komentuar për “Panorama Sport” paraqitjen e kombëtares së femrave. Greva pranon se ky është momenti më i vështirë, por thotë se rezultatet e dobëta kanë ardhur si rrjedhojë e mungesës së përvojës. Gjithashtu ai thekson se ndikim të madh kanë edhe stërvitjet e pakta që zhvillojnë lojtaret duke nisur që nga moshat, ndërsa përmend edhe numrin e lartë të basketbollistëve të huaj në kampionatet shqiptare.

Kombëtarja e të rriturave pësoi dy humbjet e radhës në shifra të rënda. Si do t’i komentoni këto takime?

Sigurisht rezultatet ishin shumë të dobëta dhe u panë nga të gjithë, por mendoj se kanë ardhur kryesisht nga mungesa e eksperiencës. Vetëm një vajzë nga ky grup lojtaresh vinte me eksperiencë, që ishte Aida Palko. Pjesa tjetër ishin të gjitha të reja dhe pa përvojë në ndeshjet ndërkombëtare për të rritura. Të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar, si me Turqinë gjithashtu edhe më Poloninë, kanë qenë vërtetë shumë të dobëta.

Megjithatë edhe pse rezultatet ishin të këqija, mendoj që është diçka e mirë që u përfaqësuam, me shpresën që në të ardhmen do të kemi paraqitje më të mira. Në përfaqësuese ka elementë të mirë, ka vajza të shkathëta dhe me teknikë, por kërkohet punë e madhe. Këto vajza të reja përgatiten dhe aktivizohen vetëm një javë për aktivitet ndërkombëtare që bëhen një herë në vit dhe kjo është krejtësisht e pamjaftueshme. Në këto kushte ne nuk mund të kërkojmë rezultate të larta, apo ballafaqim dinjitoz në garat europiane.

Ndryshe nga ekipi i të rriturave te moshat ka pasur disa shkëndija në kompeticionet ndërkombëtare që u zhvilluan në verë…

Aktivitetet e moshave nuk ishin të dobëta fare, pasi s’kemi luajtur me skuadrat më të forta, por me ekipe mesatare dhe të ulëta të Europës. Megjithatë ka shpresa, sepse fituam disa ndeshje dhe nuk është luajtur keq, pavarësisht se zumë vende nga fundi. Nga këto tri aktivitete të zhvilluara për moshat, janë grumbulluar edhe lojtaret më të mira, të cilat morën pjesë me kombëtaren e të rriturave.

A është ky momenti më i keq për basketbollin e femrave në Shqipëri, duke qenë se Kombëtarja ka plot 13 vite pa fitore?

Sigurisht që është momenti më i vështirë. Kjo situatë ka ardhur edhe për shkak të ndërrimit të brezave, pasi iku brezi i parë që e kishte njëfarë eksperience me pjesëmarrjet ndërkombëtare. Tani ky brezi i ri kërkon shumë kohë për të ardhur në nivelet e dikurshme.

A ka ndikim për këtë situatë numri i lartë i lojtarëve të huaj?

Aq sa e ndihmon basketbollin duke i dhënë eksperiencë dhe rritje në cilësi, po aq e pengon, pasi zvogëlon hapësirat për lojtaret tona. Kur vjen puna te ekipi kombëtar, niveli është edhe më i dobët nga sa ka qenë më përpara. Basketbollistë të huaj luajnë edhe nëpër botë, por duhet përcaktuar një numër i vogël, i kufizuar, një apo dy. Jo të ndodhë siç kemi parë me Vllazninë, me Kamzën, me Durrësin apo me Gogën, që kanë marrë nga 7- 8 të huaj. Kjo nuk e ndihmon Kombëtaren.

Ndërkohë mungon edhe profesionalizmi, pasi thuajse të gjithë lojtarët vendorë punojnë dhe stërviten njëkohësisht…

Sigurisht, ky është një tjetër problem shumë i madh, pasi edhe kur na dalin lojtarë të mirë, ata pretendojnë të shkojnë jashtë shtetit për të fituar më shumë. Kjo është si në të gjitha fushat edhe në sport.

-800-0-72dd569f2877212231696562f1aefcc6

Çfarë mund të bëhet për të dalë nga kjo krizë?

Ne kemi kontingjente të mira, pasi nuk ka qenë asnjëherë basketbolli kaq i përhapur në bazë si sot. Kemi shumë klube, apo ekipe private që punojnë me moshat e vogla. Por pasi kalojnë nga mosha 13-14 vjeç duhet të punojnë jo dy apo tri herë në javë me nga 1 orë seancë, por të bëjnë 2 orë në ditë dhe minimalisht pesë herë në javë. Vetëm kështu mund të arrihet që të forcohemi teknikisht dhe të jemi në gjendje për të përballuar më pas edhe aktivitet ndërkombëtare.

PANORAMASPORT.AL