Humbje në 5 miqësore, Shima: Jemi në rrugën e duhur, nuk kemi luksin e zgjedhjes së lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2017 | 17:00

Humbje në 5 miqësore, Shima: Jemi në rrugën e duhur, nuk kemi luksin e zgjedhjes së lojtarëve

Kombëtarja shqiptare në basketboll për meshkuj është vetëm 24 orë larg nga premiera në paraeliminatoret e kampionatit botëror 2019. Në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik, kuqezinjtë e koshit do të nisin aventurën ndaj kombëtares së Austrisë (ora 20:30). Shqipëria rikthehet tashmë në parket në ndeshje zyrtare pas 5 ndeshjeve miqësore, të gjitha të humbura (dy ndaj Kosovës, dy ndaj Armenisë dhe një ndaj Kazakistanit).

shima bushati hysenagolli

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, titullari i kombëtares, Gerti Shima, përtej optimizmit në prag të debutimit me Austrinë, nuk e fsheh diferencën në individualitete, sipas tij duke krahasuar dy kundërshtarët e Grupit B, Austrisë dhe Holandës.

“Themi se jemi në rrugën e duhur. Kemi 2 ekipe mjaft të forta përpara dhe me shumë eksperiencë, por do të mundohemi të zbatojmë me përpikëri ato detyra që na ka lënë trajneri dhe të japim maksimumin në fushë. Pastaj do të shohim edhe rezultatin. Por rëndësi ka fakti se ekipi është i karikuar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë.

Sa i përket turneut miqësor që u mbajt në Armeni, mund të them se na vlejti shumë për të arritur ato objektiva që ne kemi për të qenë të gatshëm t’i zbatojmë të mërkurën në ndeshjen e parë zyrtare me Austrinë. Nëse duam pikën e fortë duhet të bëjmë një lojë skuadre. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë diçka. Si pikë të dobët mund të përmend se nuk kemi kualitete individuale sa ekipet në grup”, tha fillimisht Shima në analizën e tij.

I pyetur nëse prurjet e reja kanë qenë në pritshmëritë e trajnerit Antonis Konstantinides, Shima u përgjigj: “Në ekip janë lojtarët më në formë për momentin si fizikisht edhe taktikisht. Dihet që nuk kemi luksin e të zgjedhurit duke ditur nivelin e basketbollit në Shqipëri.

Por besoj se këta që jemi do mundohemi të arrijmë ato objektiva, që i kemi vënë vetes për këto eliminatore”, përfundoi Shima. Prej gati një muaji, kuqezinjtë u përgatitën fillimisht në pallatin e sportit “Asllan Rusi” për t’u transferuar në “Feti Borova”, mes shumë polemikash pas refuzimit që iu bë për t’u stërvitur në këtë arenë sportive.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"