“Humbje e turpshme për Tomorin, por krejt aksidentale”, administratori Ajazi: Duhet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2020 | 16:19

“Humbje e turpshme për Tomorin, por krejt aksidentale”, administratori Ajazi: Duhet të…

Humbja e Tomorit ndaj Butrintit, brenda në shtëpi, ka trazuar “ujërat” në qytetin e Beratit. Tifozëria ka mbetur e zhgënjyer nga rezultati, që ka ardhur si “rrufe në qiell të pastër”, pasi komprometon objektivin.

Tomori

Tifozët, të cilët e ndoqën ndeshjen nga pallatet përreth, janë habitur nga loja e Tomorit në pjesën e dytë. Pas ndeshjes, trajneri Mile, por edhe kolegu i tij te Butrinti, Çakuli, kanë deklaruar se nuk e prisnin atë rezultat. Lojtarët pretendojnë se shkak i kësaj humbjeje është ngarkesa fizike.

ADMINISTRATORI AJAZI – Për “Panorama Sport” flet administratori i klubit beratas, Ismet Ajazi, i cili e quan të turpshme atë humbje: “Duhet të pranojmë se është një humbje e turpshme për të gjithë. Dhe si e tillë, na ngarkon me faj dhe përgjegjësi morale të gjithëve ne, aktorë dhe faktorë brenda skuadrës dhe klubit. Kemi përgjegjësi përpara opinionit futbolldashës beratas dhe ndaj bashkisë e presidentit Ervin Demo, të cilit i jemi borxhli, pasi na i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Sinqerisht, jam ndierë i turpëruar nga ajo ndeshje.

TOMORII

Nuk dua të flas për aspektin e lojës, sepse jam administrator dhe kjo i përket stafit teknik. Por mund të them se përpara dhjetëra tifozëve të zhgënjyer beratas, që me të drejtë kërkonin shpjegime për këtë humbje, kam përjetuar një situatë jo të lehtë. I kam sqaruar dhe dua të përcjell një mesazh shumë të qartë për të gjithë mbështetësit e Tomorit. Kjo humbje në Berat me Butrintin, që mund të na ketë cenuar imazhin, ishte krejt aksidentale. I siguroj tifozët se nuk do ta rrezikojë aspak objektivin tonë, rikthimin në Kategorinë e Parë.

Kemi shumë besim te stafi teknik dhe futbollistët, besojmë në profesionalizimin e tyre. Në fund të fundit, ata na kanë sjellë deri këtu. Do të zhvillojmë një analizë të thellë për përmirësimin e situatës. Të gjithë së bashku duhet t’i përvishemi punës për kthesën e menjëhershme, është një detyrim moral dhe profesional”, është shprehur ekskluzivisht për “Panorama Sport” administratori i Tomorit, Ismet Ajazi.

Edi Spahiu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"