Humbja në transferë ndaj Besës, Abazaj justifikon ekipin: Thjesht një ditë “jo”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2020 | 18:25

Humbja në transferë ndaj Besës, Abazaj justifikon ekipin: Thjesht një ditë “jo”

Pogradeci humbi në ndeshjen e parë pas rikthimit të kampionatit. Ishte Besa që u hoqi vendin e parë liqenorëve, të cilët besojnë se kjo gjë është e përkohshme, pasi reagimi do të vijë shpejt, që në ndeshjen e radhës me Apoloninë. Stafi teknik dhe ai drejtues kanë analizuar humbjen dhe kanë evidentuar faktorët që ndikuan në atë disfatë.

Abazaj222

U mendua se do të kishte masa ndaj ekipit, por humbja me Besën është konsideruar një moment i shkëputur dhe të shtunën pritet kthesa.

ABAZAJ – Trajneri Ardian Abazaj, për humbjen e kreut thotë se janë disa faktorë që ndikuan. “Në futboll gjithçka mund të ndodhë, ka edhe ditë ‘jo’, siç na ndodhi neve ndaj Besës. Vërtet kemi humbur vendin e parë, por kjo nuk do të thotë se gjithçka mbaroi. Është vetëm një betejë e humbur, lufta vazhdon.

Ka disa faktorë që ndikuan në atë humbje dhe unë po i rendis. E para është se menduam se ndeshja u mbyll kur ne ishim në avantazh, ekipi e mori shumë lehtë dhe më pas erdhi përmbysja nga kundërshtari. Një faktor tjetër ishte terreni, fusha ishte e papërshtatshme. Po ashtu, kishim tri mungesa që u ndjenë.

Nuk luanin Topllari, Dragoi dhe Hidri, nuk janë pak këto mungesa. Gjykimi? Të jem i sinqertë, ka qenë një gjykim korrekt dhe nuk kam asnjë vërejtje. Kishte zero ndikim nga gjyqtarët në atë ndeshje dhe uroj të vazhdojë kështu deri në fund”, thekson trajneri i Pogradecit për “Panorama Sport”.

APOLONIA – Trajneri i liqenorëve në fund shpreh bindjen se skuadra është në gjendje të reagojë dhe të rimarrë kreun në ndeshjen me Apoloninë të shtunën. “Faktorët negativë të humbjes me Besën në Shijak kthehen në faktorë pozitivë këtë fundjavë.

Luajmë në fushën tonë, në një terren të mrekullueshëm, por e rëndësishme është që të jemi shumë të kujdesshëm, me këmbë në tokë. Ekipi do të jetë i plotë, pasi na rikthehen të gjithë të dëmtuarit. A është një ndeshje vendimtare për Superioren? Natyrisht, do të përcaktojë shumë dhe ne do të luajmë vetëm për fitore.

Të katërta skuadrat në grupin tonë kanë pretendime, por fierakët janë në vendin e parë dhe me një gur mund të vrasim dy zogj, marrim kryesimin dhe lëmë pas rivalin tonë. Megjithatë, edhe nëse fitojmë, nuk do të thotë se do të kapim Superioren, do të fitojmë një ndeshje radhe dhe kaq. Javë pas jave ndeshjet janë finale të vërteta”, ka përfunduar trajneri Abazaj.

Romeo Xinxifi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"