Humbja në Pukë kushtëzon zgjedhjet e Maganit, në Kupë luajnë titullarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2017 | 11:03

Humbja në Pukë kushtëzon zgjedhjet e Maganit, në Kupë luajnë titullarët

Teuta u ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Tërbunin, e cila do të zhvillohet sot në “Niko Dovana” dhe është e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e parë, durrsakët u mundën në transfertë me rezultatin 1-0 dhe në sfidën e kthimit u duhet të fitojnë duke shënuar dy gola dhe të mos lejojnë të ndëshkohen nga kundërshtari, nëse duan të kalojnë në raundin tjetër të këtij kompeticioni.

Teuta

Në këto kushte, trajnerit Magani i duhet t’i bëjë mirë llogaritë, ndaj parashikohet të hedhë në fushë formacionin bazë, pasi një neglizhencë e vogël do t’i kushtonte skualifikimin që në raundin e parë. Kupa e Shqipërisë është një mundësi për të arritur objektivin që kanë durrsakët, atë të prerjes së një bilete për në Kupat e Europës. Ndaj duhet t’i bëhet hyzmeti deri në një, për t’i shkuar deri në fund kësaj veprimtarie.

Madje, duke parë konkurrencën e madhe në kampionat, Kupa do të ishte rruga më e shkurtër për të kapur Europën. Ndryshe nga dy javë më parë, kur trajneri Magani aktivizoi në Pukë thuajse skuadrën e dytë, më përjashtim të disa titullarëve, rezultati e ka kushtëzuar të aktivizojë sot titullarët. Pritet që në radhët e durrsakëve të ketë ndryshime edhe në skuadrën e parë, nga ajo që u pa në kampionat ndaj Flamurtarit.

Me shumë gjasa do të zbresë në fushë skuadra që luajti përgjatë pjesës së dytë kundër Flamurtarit. Gjatë seancës stërvitore, Magani u vuri rëndësi goditjeve standarde, si dhe orientoi prapavijën të jetë e kujdesshme në çdo çast dhe të mos e nënvleftësojë kundërshtarin.

Sa i përket gjendjes së grupit, lojtarët po kalojnë formë të mirë fizike dhe trajneri e ka të gjithë grupin të gatshëm dhe do të ketë mundësi përzgjedhjeje. Magani ka kërkuar që skuadra ta ketë vëmendjen te ndeshja e radhës dhe jo te humbja në kampionat apo te sfida e fundjavës me Kamzën.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"