Humbja në Kupë, Idrizi shpërthen ndaj lojtarëve: Jeni të pacipë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2017 | 0:53

Humbja në Kupë, Idrizi shpërthen ndaj lojtarëve: Jeni të pacipë!

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, shpërthen kundër lojtarëve pas humbjes me Besëlidhjen e Lezhës. Për katër orë, dje lojtarët janë bërë për “ujë të ftohtë”, në një mbledhje që ka kaluar çdo kufi.

Fillimisht për 60 minuta ekipi ka qenë në mbledhje me administratorin Sinan Idrizi, ndërsa më pas për rreth tri orë të tjera, me stafin teknik dhe drejtorët Ardi Behari e Vangjel Laluci.

Idrizi-Gjyrezi

Presidenti është shfaqur tejet i mërzitur para lojtarëve, ndërsa ka ngritur shpeshherë tonet, duke akuzuar madje futbollistët vlonjatë për mungesë përgjegjshmërie. Për “Panorama Sport”, administratori i klubit theksoi dje se është shumë i zhgënjyer me futbollistët për humbjen ndaj Besëlidhjes. Sipas tij, ata kanë turpëruar një qytet të tërë. Dënimi për lojtarët pritet që të jetë ulja në stol, ndërsa nuk do të ketë masa financiare. Idrizi bëri të ditur se lojtarët vlonjatë po i bëjnë presion me rritje të pagave dhe kontrata dyvjeçare

“Është shumë e thjeshtë, lojtarët do të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Kur donin rrogat zotërinjtë, dilnin në faqe të parë të gazetës. Nuk ka më! Të të shpartallojë Korabi dhe Besëlidhja dhe lojtarët të më kërkojnë mua rritje rrogash dhe kontrata dyvjeçare, ky është turp! Unë nuk kam asnjë gjë me këto ekipe, nuk kam asnjë paragjykim, por nuk mund t’i ndodhë kjo Flamurtarit. Këta nuk kanë cipë, jo!”, u shpreh Idrizi

“Unë nuk u kam kërkuar as kupën dhe asgjë tjetër, thjesht u kam kërkuar vetëm dinjitet. Por, lojtarët e mi e paskan mendjen te rritja e rrogës dhe kontratat dyvjeçare, jo te humbja. Nuk ka më penalizime me rrogat apo histori të tjera. Jam lodhur me këto! Tani do të shikojnë stolin të gjithë. Unë kam ndëshkuar veten me 30 për qind që u kam vonuar pagat dhe që i kam paguar. Kjo është fyerje për qytetin. Unë shkoj në mbledhje sot (dje) për të analizuar situatën e paprecedent dhe turpëruese, ndërsa disa lojtarë vlonjatë më kërkojnë rritje pagash dhe kontrata dyvjeçare. Unë nuk shikoj asnjë të kërkojë falje.

Kur u vonon rrogat, dalin familjarisht dhe qajnë nëpër gazeta me fis, prindër, motra e gra. Madje, janë në faqe të parë, ndërsa kur humbin paturpësisht nuk kërkon asnjë falje. Çështje kjo?! Te Flamurtari autokritikë bëjnë vetëm Alvesh dhe Bushiç, askush tjetër”, shtoi ai.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"