Humbja në kryeqytet nuk bëhet dramë, Luftëtari presion kampionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2018 | 13:01

Humbja në kryeqytet nuk bëhet dramë, Luftëtari presion kampionëve

Porta dhe mbrojtja konfirmohen si pika më e dobët e Luftëtarit, që ndaj Partizanit zbriti me këmbë në tokë. Por, si të mos mjaftonin dy të mëparshmet, edhe sulmi nuk dha sinjale pozitive në ndeshjen e fundit.

vangjel-cavo-vasil-shkurtaj-470x313

Megjithatë, humbja 3-0 e gjirokastritëve në “Selman Stërmasi” nuk e zbeh aspak ecurinë pozitive në 24 javët e luajtura. Për drejtorin teknik të Luftëtarit, Vangjel Çavo, të humbasësh me Partizanin nuk është fundi i botës. Ai thotë se kjo disfatë duhet harruar sa më parë dhe skuadra duhet të mendojë për ndeshjen e radhës.

HUMBJA- Ai e pranon se ekipi nuk luajti mirë ndaj Partizanit. “Mendoj se na mungoi mobilizimi. Partizani ishte më i organizuar, më i mobilizuar dhe i vendosur për të marrë 3 pikët. Si asnjë ndeshje tjetër nuk dolëm në lojën tonë dhe gabuam shumë. Përgjegjësia është e të gjithëve dhe tani nuk është momenti i duhur dhe koha për të fajësuar lojtarë të veçantë. Është koha për të mos ‘qarë’, por të tregojmë qetësi dhe vlerësim për çdo sfidë të mbetur”, u shpreh fillimisht drejtori për “Panorama Sport”.

KUKËSI- Luftëtari nuk humbet kohë, teksa dje, në orën 13:00, në fushën e stadiumit “Gjirokastra” nisi përgatitjet për ndeshjen e mesjavës. Kampionët e Kukësit do të jenë kundërshtarët e radhës për bluzinjtë, që do të luajnë në javën e 25-të. Për të harruar humbjen 3- 0 me Partizanin, gjirokastritët do të tentojnë të marrin rezultat pozitiv. “Sigurisht që do të synojmë një rezultat pozitiv. Është objektiv i vështirë, por jo i pamundur.

Kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë, të cilët duhet të na ndihmojnë për të rritur moralin e lojtarëve. Sa më shumë të jenë të pranishëm, aq më shumë do të na ndihmojnë. Javët që vijnë do të jenë të vështira për ne. Kjo skuadër duhet të luftojë dhe të punojë për të arritur objektivat e vendosura në fillim të sezonit. Deri tani jemi të kënaqur me atë që kemi bërë, por s’duhet të ndalemi”, ka përfunduar drejtori Çavo.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"