Humbja ndaj Realit, ja cilët lojtarë kryqëzojnë gjermanët për paraqitjen e dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2018 | 16:32

Humbja ndaj Realit, ja cilët lojtarë kryqëzojnë gjermanët për paraqitjen e dobët

Ishte pa dyshim ndeshja ku skuadra bavareze duhet të tregonte forcën e saj reale. Në një- farë mënyre ia doli, duke dominuar një nga ekipet më të mira në botë dhe absolutisht më në formë për momentin. Reali i Madridit ka qenë pa dyshim skuadra për të mundur në këtë kompeticion të “Champions League”. Pasi eliminuan milionerët e Parist, spanjollët nuk falën as kampionët e Italisë, edhe pse në një kualifikim dramatik, ku kualifikimi erdhi në minutat e fundit pas një penalltie shumë të kontestuar të Juventusit. Madrilenët kishin shënuar tri herë në Torino dhe kaluan falë golave në transfertë. Më pas, shorti u vuri përballë kampionët e saposhpallur të Gjermanisë, Bajerni.

bajern real

Skuadra e drejtuar nga Jup Hejnkes e kishte përgatitur me shumë intensitet ndeshjen dhe strategu gjerman hodhi në fushë një skuadër dominuese. Reali, edhe pse shënoi dy gola, kishte shumë pak raste. Ylli i skuadrës, Kristiano Ronaldo, u pa shumë pasiv në fushë dhe nuk ishte asnjëherë kërcënues në portën e Ulraish. I vetmi rast ishe momenti ku shënoi, por arbitri holandez Bjorn Kaipers me të drejtë e anuloi golin, pasi më parë portugezi kishte zotëruar topin me dorë. Në krahun bavarez u pa një skuadër agresive.

Por në minutën e pestë, Hejnkes u detyrua të kryejë zëvendësimin e parë, Arjen Roben nuk mund të vazhdojë më lojën pas një dëmtimi në rrëzën e kofshës së djathtë. Pastaj vjen goli i avantazhit me anë të Kimish që shënon me një aksion personal. Por fati i keq i dëmtimeve godet sërish Bajernin që detyrohet të kryejë zëvendësimin e dytë të detyruar. Zherom Boateng dëmtohet dhe del nga fusha. Hejnkes bëhet me dhimbje koke, por skuadra nuk u tërhoq prapa. Riberi kishte mundësinë të shënonte golin e dytë, por shpërdoroi. Më pas, ndeshja mori një rrjedhë që të gjithë e dimë.

Por, pse dështoi Bajerni të merrte qoftë edhe një barazim? Analistët e shumtë, duke filluar nga Oliver Kahn, mendojnë se Levandovski ishte lojtari që çaloi në lojën e gjermanëve. Bomberit i mungonte shkathtësia dhe ishte shumë i lehtë për t’u markuar nga mbrojtja madrilene. Sulmuesi po vuan shumë dhe ndoshta kjo ka të bëjë me zërat që ai do largimin nga Mynihu, edhe pse disi absurde ta mendosh, pasi në nivelin aktual të lojtarit nuk duhet të ekzistojë fare si koncept. Ai është një profesionist dhe këtë e ka treguar edhe në të shkuarën. Kujtojmë kohën kur luante për Dortmundin dhe u ndesh me Bajernin në finalen e Champions-it. Leva ishte nga më të mirët në fushë dhe, vetëm 2 muaj më pas, ai u transferua në Mynih.

Por, Ditmar Haman, një tjetër ish i skuadrës, mendon se përveç Levandovskit, edhe Tiago nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Spanjolli me sa duket nuk është ende gati të luajë në nivele të larta. Dëmtimet e kanë lënë shumë prapa. I vetmi që tentoi të bënte diçka përpara ishte Riberi. Francezi, dhe pse u duk i lodhur në 20 minutat e fundit të lojës, u mundua të depërtonte në mbrojtjen e Realit. Myler gjithashtu humbi një rast të pastër në pjesën e parë. Javën e ardhshme do të jetë një shans i dytë për skuadrën e Hejnkesit, i cili shpreson te përmbysja e madhe kundër ishskuadrës së tij që e drejtoi në sezonet 1997-1998, atëherë kur fitoi edhe Champions-in me ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"