Humbja ndaj Orikut, Magani “qan” mungesën e përvojës. Ja analiza e trajnerit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2019 | 16:38

Humbja ndaj Orikut, Magani “qan” mungesën e përvojës. Ja analiza e trajnerit…

Besa gaboi që në startin e kampi onatit, duke u mundur 2-1 në fushën e vështirë të Orikumit. Verdhezinjtë zhvilluan një ndeshje të bukur, por duket se ardhjet në limit të përforcimeve dhe mungesa e përvojës ndikuan në atë rezultat.

bizhdili magani

Kavajasit janë mundur edhe herë tjetër në atë fushë, por arsyeja që “djeg” më shumë këtë radhë lidhet me faktin se ata kaluan në avantazh dhe më pas pësuan dy gola, e pafalshme kjo për një ekip me pretendime.

MAGANI – Trajneri Gugash Magani ka mbetur i kënaqur nga loja, por sigurisht jo nga rezultati. Sipas tij, në momentet kyçe të ndeshjes, kur u pësuan dy golat, skuadra dëshmoi mungesë përvoje: “Ardhjet te Besa kanë vazhduar deri 3 ditë përpara nisjes së kampionatit dhe natyrisht në këto kushte kërkohet pak kohë deri në harmonizimin e plotë të grupit. Po nuk ishte kjo arsyeja e humbjes. Për mua, mungesa e përvojës diktoi shumë në rezultatin e ndeshjes.

Futbollistët tanë luajtën mjaft mirë, të barabartë në çdo aspekt, por kur bëhet fjalë për momente të veçanta, kuptohet se aty përvoja bën diferencën. U ndëshkuam në dy goditje standarde dhe kjo vërteton atë që thashë. Veçanërisht në ndeshjet në transfertë kërkohet administrimi i lojës dhe i rezultatit, por kjo bëhet kur ke mbi shpatulla përvojën e duhur. Të gjitha transfertat do të jenë të vështira, por edhe ndeshjet në shtëpi.

Besa

Java e parë tregoi se nuk ka asnjë ekip të dobët në grup. Tjetër problem që më shqetëson jo pak është ai i shpërdorimit të rasteve që krijojmë. Thuajse në çdo takim miqësor, por edhe në Orikum, krijuam raste dhe i humbëm. Na duhet të korrigjohemi shpejt, pasi kohë nuk ka.

Ky kampionat do të jetë i vështirë dhe duhet të gabojmë sa më pak. Personalisht, kam besim se nga java në javë ekipi do të marrë formë dhe do të arrijë rezultatet që pres unë dhe gjithë tifozët. Tani Oriku kaloi dhe do përqendrohemi te përballja e radhës. Pres një reagim pozitiv nga skuadra dhe kam besim se do të ndodhë”, ka thënë trajneri i Besës. Verdhezinjtë u fuqizuan gjatë verës me Zefin, Xhafën, Mziun, Çajanin dhe Beqirin, por ata iu bashkuan grupit me vonesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"