“Humbja ndaj Korabit na trishtoi të gjithëve”, Ervis Çaço jep garanci për një vend në “play off”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2022 | 16:36

“Humbja ndaj Korabit na trishtoi të gjithëve”, Ervis Çaço jep garanci për një vend në “play off”

Në Berat projektojnë një tjetër skuadër në fazën e dytë. Pas sheshimit të problemeve të konstatuara gjatë fazës së parë në repartin e sulmit, te Tomori të gjithë shpresojnë jo vetëm kthesën në rezultate, por edhe ngjitjen në renditje.

ervis cacoo

Në rastin më të mirë të mundshëm, beratasit kërkojnë të kapin fazën “play off”, një objektiv ky më se i realizueshëm. Këtë e kanë përforcuar gjatë prononcimeve të tyre më të fundit trajneri Klodian Arbëri, por edhe një tjetër zë i fuqishëm brenda skuadrës, si kapiteni Ervis Çaço. Në një bisedë për “Panorama Sport”, lojtari i krahut të djathtë ka theksuar se janë të gjitha premisat për të luftuar për ngjitjen në elitë përmes ndeshjes shtesë.

“Në fillim, më duhet të them edhe në emër të skuadrës, se na vjen shumë keq që e mbyllëm vitin 2022 me një humbje të thellë ndaj Korabit, e cila na ka mërzitur të gjithëve. E kishim parashikuar si një fushë dhe kundërshtar të vështirë, pasi skuadra dibrane ka plot dy vite pa humbje në shtëpi, por jo të pësonim atë disfatë, që duhet harruar sa më shpejt”, ka thënë fillimisht kapiteni i beratasve, i cili në të kaluarën ka provuar të luajë edhe për Korabin.

Çaço beson se do të jetë një tjetër Tomor në vitin 2023.

“Për sa i përket fazës së dytë, jam i bindur se do të jetë shumë më ndryshe për Tomorin. Jo vetëm që do të jemi më rezultativë në finalizim, por me grupin që kemi dhe përforcimet që presim, skuadra jonë i ka të gjitha mundësitë që të përsërisë sezonin e kaluar në ndeshjet e fazës ‘play off’. Kemi një kalendar edhe më të favorshëm, pasi e nisim vitin 2023 me dy ndeshje brenda në shtëpi dhe i kemi të gjitha mundësitë të renditemi në gjashtë skuadrat e para”, përfundoi lideri i skuadrës beratase.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"