Humbja ndaj Kamzës, presidenti Halili zbarkon në stërvitje. Kokë më kokë me Ze Marian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 19:44

Humbja ndaj Kamzës, presidenti Halili zbarkon në stërvitje. Kokë më kokë me Ze Marian

Humbja e Tiranës me Kamzën ka “detyruar” Refik Halilin të “zbarkojë” në “Skënder Halili” për t’i qëndruar afër ekipit. Pas shumë muajsh mungesë pranë ekipit, presidenti i Tiranës dje ka zhvilluar një vizitë në fushën e stërvitjes së bardhebluve. Në fakt, ardhja e presidentit ka qenë surprizë për të gjithë. Duke filluar që nga stafi e deri lojtarët më të rinj, pasi Halili prej kohësh ka rralluar shumë vizitat në fushën e stërvitjes dhe çdo takim e ka spostuar gjatë grumbullimit. Një lëvizje kjo, që sigurisht, deri dje përkthehej me lënien e qetë të skuadrës, por në situatën aktuale, vizita është përkrahje për grupin.

tirana halili

Vizita – Gjatë mesit të stërvitjes së djeshme, menjëherë në fushë ka mbërritur presidenti i Tiranës. Ai ishte i shoqëruar nga Hektor Çomo ose më saktë njeriu i merkatos së Tiranës. Halili ka takuar të pranishmit, drejtorin sportiv, Arbi Laçi dhe anëtarët e tjerë të stafit bardheblu, si dhe është ulur në një nga pankinat e stadiumit, ku së bashku me drejtuesit e tjerë të ekipit ka ndjekur deri në fund të stërvitjes përgatitjet e ekipit. Trajneri Ze Maria, jo vetëm që nuk ka ndalur stërvitjen, por ka vazhduar punën, deri në fund të planit të tij.

Mesazhi – Edhe pse nuk i ka takuar lojtarët në një mbledhje apo të ketë mbajtur ndonjë fjalim, vizita nënkupton një mesazh të qartë. Presidenti është me ekipin dhe paçka humbjes, ai përkrah skuadrën, që të gjejë forcat dhe të arrijë të marrë veten për sfidën me durrsakët. Kokë më kokë me Ze Marian – Menjëherë pas stërvitjes, të gjithë lojtarët kanë pritur një mbledhje me ekipin, por nuk ka pasur ndonjë takim të tillë. Ndoshta, presidenti dhe stafi kanë menduar që të mos ngarkojnë ekipin psikologjikisht, por lëvizjen e djeshme e kanë menduar thjesht një vizitë përkrahëse për skuadrën, para sfidës me Teutën dhe pas humbjes me Kamzën.

Gjithsesi, ajo që bëri më shumë përshtypje ka të bëjë me faktin se presidenti Refik Halili ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” me trajnerin Hoze Marselo Ferreira. Pas një takimi personal, palët kanë folur edhe me pjesëtarët e tjerë të stafit. Sigurisht, tema e diskutimit ka qenë gjendja e skuadrës dhe sfida me Teutën, e cila duhet të fitohet medoemos nga bardheblutë, sepse në të kundërt ata komprometojnë jo pak nisjen e këtij sezoni futbollistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"