Humbja me Tiranën, zbardhet fjalimi i Agostinelit para ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2016 | 9:50

Humbja me Tiranën, zbardhet fjalimi i Agostinelit para ekipit

Humbja në transfertën kundër Tiranës u dha fund gjashtë fitoreve radhazi të Skënderbeut në këtë fillimsezoni. Gjithsesi, bardhekuqtë vijojnë të mbajnë vendin e parë në renditje me 18 pikë duke kryesuar të vetëm kampionatin.

Megjithëse kampionët janë në krye, ajo që ka filluar të bëjë “zhurmë” në kampin bardhekuq është fakti që Skënderbeu u “rrëzua” që në ndeshjen e parë “big” të këtij sezoni duke mos u treguar më cinik si në vitet e kaluara. Kaq ka mjaftuar për të dalë në përfundime që korçarët nuk janë më dominuesit e sezonit të kaluar dhe kanë disa mangësi.

Agostineli

Por, në kampin e Skënderbeut nuk janë kurrsesi dakord me fjalët që lëvizin në media. Mosdakordësia ka ardhur menjëherë pas ndeshjes së mbyllur në kryeqytet dhe pas konferencave për shtyp të trajnerit dhe disa lojtarëve. Pikërisht për këtë ka shërbyer ai takim kokë më kokë mes trajnerit dhe lojtarëve. Agostineli – Italiani i stolit të Skënderbeut, i konsultuar fillimisht edhe me presidentin Ardjan Takaj, ka shfaqur qetësinë edhe te lojtarët e vet, me qëllim që të mos e marrin me shumë dramë humbjen e pësuar kundër Tiranës.

Italiani, sigurisht ka këmbëngulur në faktin që është thjesht një humbje që, herët a vonë, do të vinte dhe sigurisht që asgjë nuk ka ndodhur për të “shkatërruar” atë nisje sezoni me pikë të plota. Pikërisht për të shkarkuar presionin nga ekipi, Andrea Agostineli ka mbajtur këtë fjalim para të tijve, menjëherë pas takimit kundër Tiranës.

Agostineli Skenderbeu

Fjalimi

“Kemi shënuar humbjen e parë dhe normalisht ishte diçka që, herët a vonë, do të vinte. Përpos faktit që të gjithë janë duke u përpjekur për të nxirë paraqitjet tona sezonale vetëm me një humbje, ne duhet të jemi të qetë në faktin që e dimë forcën tonë dhe të mundohemi ta tregojmë atë pa pasur më të voglin ndikim nga kjo që ndodhi.

Dua t’u them të gjithëve se harmonia klub-staf-lojtarë është në kulmin e vet dhe asgjë nuk ka ndryshuar nga kjo ndeshje. Sikundër e dinit dhe ju, është një humbje që, herët a vonë, do të vinte për këtë të gjithë jemi të vetëdijshëm. Por, nuk mund të pranojmë kurrsesi se erdhi humbje pa lojë. Ju (lojtarëve) luajtët dhe treguat se mund të merrnit edhe pikë, por humbja nuk u shmang. Tani duhet që të jemi të qetë, të mundohemi që të reagojmë menjëherë, pasi kjo është ajo që duhet.

Agostineli

Një ekip nuk është i madh se fiton shumë takime. Një ekip bëhet i madh atëherë kur reagon menjëherë pas një humbjeje. Unë jam i bindur se keni për të reaguar mjaft mirë, pasi di potencialin e ekipit që drejtoj. Ta lëmë pas këtë takim dhe të vijojmë me qetësi ndeshjen e radhës”, theksoi para lojtarëve trajneri i Skënderbeut menjëherë pas takimit të luajtur kundër Tiranës.

Sigurisht, nga ana tjetër, edhe presidenti Takaj ka qenë i qetë pas kësaj humbjeje dhe aspak i zhgënjyer me ekipin e tij. Çka të jep idenë se nuk ka asnjë çështje në kampin bardhekuq pas humbjes kundër Tiranës.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"