Humbja më thellë e Kombëtares 70 vite me parë, ish-portieri Maliqati: Luajtën anëtarët e Partisë, Pushkashi të ngjallte frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2020 | 15:54

Humbja më thellë e Kombëtares 70 vite me parë, ish-portieri Maliqati: Luajtën anëtarët e Partisë, Pushkashi të ngjallte frikë

UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Biseda me Sulejman Maliqatin, ish-portierin e famshëm të Par tizanit, Kombëtares të viteve ’50-’60, është tepër e veçantë. Sapo ka kaluar të 92 vjetët (2 gusht), ruan një freski moshe të mahnitshme. E kupton kur flet në celular, por më shumë kur je pranë tij. Si një aktor Hollivudi, nga ata të famshmit, kur e sheh, komunikon, tejet estetik, po ai Maliqati si dikur. Një memorie brilante, korrektesë, i qeshur, i gëzohet jetës me të mirat dhe fatkeqësitë që i ka sjellë. “Dua të jetoj aktiv në vitet që më ka falë dhe po më jep Zoti”, shprehet. Nga ndeshja me Hungarinë ku humbnim 12-0, kanë kaluar disa dekada dhe nga ai brez, nga ajo plejadë, mjaft prej protagonistëve fatkeqësisht janë ndarë nga jeta. Sot pas 70- vitesh, Maliqati i rikthehet asaj përballjeje me detaje nga udhëtimi, arratisja e Vathit e Kavajës, pastaj ndeshja.

sul maliqat

“Zëvendësova Voglin në pjesën e dytë. Isha djalë i ri, vija nga Kavaja dhe direkt kundër Pushkashit. Ai turne filloi jo mirë, që në grumbullim”, thotë ai për “Panorama Sport”. Z. Maliqati, çfarë kujtoni nga ai turne? Para nisjes, në grumbullim, një tjetër skuadër u mendua të shkonte, por për “njolla” në biografi nuk erdhën Mirashi, Biçaku, Teliti. Pati ndërhyrje, u morën lojtarë që ishin anëtarë partie. Ndodheshit në Bosfor, si u arratisen Vathi dhe Kavaja? Jemi nisur me një anije sovjetike që kishte sjellë grurë. Afër Bosforit, po qëndronim në bordin e saj, kur papritur Bulja me Bahriun u hodhën në ujë. I pamë, na i bënin me dorë “hidhuni, ejani”, por askush nga ne nuk guxoi. Shkojmë te ndeshja në Budapest, çfarë ndodhi aty? Para saj humbëm 3-0 me Çekosllovakinë në Pragë.

Në Budapest, bëmë dy seanca stërvitjeje. Kujtoj një stadium dërrase, jo i madh, dhe në 20 minutat e para luajtëm mirë, fakti e tregoi se nuk pësuam gol. Tifozët i vërshëllyen hungarezët. Ju zëvendësuat Qemal Voglin, pse? U aktivizova në pjesën e dytë se u dëmtua Qemali. Pësova katër gola, dy prej të cilëve nga Pushkash. Në një rast iu hodha te këmbët, ia rrëmbeva topin. Ishit shumë i ri, pa asnjë eksperiencë apo jo? Kam qenë 23 vjeç, djalë i ri, vija nga Kavaja dhe direkt ndaj Hungarisë së madhe, në Budapest e ndaj Pushkashit. U futa me frikë. Të ngjallnin frikë kur i shihje e jo të luaje kundër tyre. Jeni kritikuar edhe ju nga “Sporti”? Po, u kritikova, sepse nuk u tregova një portier kalibri ndërkombëtar, siç shkruhej në gazetë.

pushkash 1

Si Qemali edhe unë, kishim përballë një skuadër të jashtëzakonshme. Si mund ta përballoje Pushkashin? Gazeta nuk kursente as Loro Boriçin… U kritikua trajneri Jakova që e ktheu Loron në mbrojtje në fund të lojës, që të mos pësonim gola të tjerë. Shtatlartë dhe ishte në formë, një rol që e kishte praktikuar edhe në Itali. Kujtoj se nga ne, Boriçi ishte më i miri. Hungarezët thoshin: “Ta kemi ne Boriçin, mundim botën”. Paraqitje e dobët, si e gjykoni pas kaq vitesh? Ne ishim të lodhur, të rraskapitur. Udhëtimet e gjata me tren, qëndronim në klasin e tretë, kategoria e fundit e vagonëve. Pastaj tronditja që vazhdonte te ne pas arratisjes së Vathit e Kavajës. Të mos harrojmë ishte Hungaria, e të pësoje 5, 6 gola prej saj nuk ishte turp. Z. Maliqati, ju dhe Sabri Peqini jeni heronjtë e mbetur nga Hungaria e 70 viteve më parë? Më janë ndarë nga jeta të gjithë shokët, i fundit ishte Miço Papadhopulli nga Partizani.

LEXO EDHE:

Hungari-Shqipëri, 70 vite më parë pësonim humbjen më të thellë në histori

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"