Humbja me Pogradecin, shpërthen Stojku: Më tradhtuan lojtarët!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2017 | 9:49

Humbja me Pogradecin, shpërthen Stojku: Më tradhtuan lojtarët!

Pas humbjes ndaj Pogradecit, trajneri i Tomorit, Gentian Stojku, ka akuzuar ashpër një pjesë të skuadrës për mosimpenjim në fushën e lojës, si dhe u ka kërkuar falje tifozëve për këtë rezultat aspak pozitiv. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës ka analizuar në detaje humbjen ndaj Pogradecit.

Tomori - Pogradeci

Stojku, një lojë e kontrolluar nga Tomori. Çfarë ndodhi te rasti i golit?

Kemi pësuar gol pas një rrëmuje në zonën tonë dhe më pas njëri prej lojtarëve të Pogradecit ka arritur ta dërgojë topin me majën e këmbës drejt rrjetës. Mendoj se ka qenë më shumë çështje fati dhe rastësie.

Sa i kënaqur jeni me skuadrën?

Aspak! Nuk dua t’i përfshij të gjithë këtu, por dua të shpreh haptas pakënaqësinë time në lidhje me disa lojtarë që nuk kanë aspak dëshirën të punojnë. Disa prej tyre nuk e ndihmojnë skuadrën dhe Tomorin duke mos respektuar dhe injoruar kështu fanellën që mbajnë veshur. Inekzistenca e tyre dhe mosimpenjimi bënë që barra më e madhe të bjerë te lojtarët e tjerë, të cilët marrin kështu dy ose trefishin e ngarkesës dhe përgjegjësisë gjatë lojës. Kjo nuk i shërben aspak Tomorit në punën në grup.

Stojku

Mendoni se ndikoi edhe fusha, e cila është në gjendje shumë të keqe?

Normalisht që edhe fusha është një faktor negativ në këtë humbje, mirëpo, siç e thashë edhe më lart, shkaku kryesor ka ardhur nga këta lojtarë, të cilët për momentin nuk dua t’i them me emra. Këta futbollistë nuk kanë zbatuar asnjë pikë nga detyrat që unë i kam dhënë në mënyrë rigoroze.

Keni diçka në lidhje me tifozët, pasi një pjesë e tyre nuk e pritën aspak mirë këtë humbje?

U kërkoj falje tifozëve të Beratit, kanë shumë të drejtë të mërziten. Absolutisht, sfida e radhës duhet të jetë ajo e kthesës dhe të rikthehemi në rrugën e duhur, duke u rikthyer sportdashësve të mrekullueshëm buzëqeshjen, e cila u mungoi në këtë sfidë.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"