“Humbja me Partizanin na rëndon”, Taipi: Skënderbeu rikthehet ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2020 | 15:32

“Humbja me Partizanin na rëndon”, Taipi: Skënderbeu rikthehet ndaj Laçit

Humbja ndaj Partizanit ishte një disfatë e rëndë që duhet harruar shpejt për Skënderbeun. Ky është mendimi i mesfushorit të korçarëve, Shqiprim Taipi. Futbollisti nga Tërnoci i Madh në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ka treguar se çfarë nuk shkoi në ndeshjen e fundit për bardhekuqtë ndaj kryeqytetasve, ndërsa nga ana tjetër ka kërkuar kthesën e menjëhershme duke filluar nga takimi i radhës. Taipi u ndal fillimisht te takimi i humbur ndaj Partizanit, duke theksuar se katër golat e pësuar në këtë përballje nuk tregojnë forcën e vërtetë të Skënderbeut, por gjithsesi mbetet një humbje që djeg te korçarët.
GJK_6740-1536x1024
Sipas Taipit, është radha që Skënderbeu të reagojë në ndeshjen ndaj Laçit për të treguar se ajo humbje ishte veçse një rastësi dhe e stisur nga mungesat e shumta dhe ndryshimet në formacion që ka pasur skuadra në këtë takim.

“Një humbje e tillë gjithmonë është e vështirë, por kjo ndaj Partizanit na rëndon. Ishte një takim që nuk u interpretua mirë nga ana jonë dhe këtu mbyllet gjithçka. Kjo na vë para një përgjegjësie që ne të hedhim pas gjithçka dhe të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës. Mund të them se mungesat ndikuan në këtë takim dhe për vetë faktin se ne jemi një ekip i ndërtuar rishtas dhe me lojtarë. Ndaj, nuk e kemi luksin që të kemi mungesa të tilla. Ato ndikuan në paraqitjen tonë dhe prandaj zgjodhëm ta interpretonim ndryshe këtë takim. Gjithsesi, nuk kemi më kohë që të qajmë mungesat dhe humbjen, por duhet të përgatisim ndeshjen ndaj Laçit në mënyrë që të reagojmë si duhet në këtë javë”, theksoi Taipi
GJK_6731-1536x1024
SEZONI – Katër pikë në pesë javët e para janë pak për Skënderbeun. Në këtë linjë është edhe Taipi, i cili beson se korçarët do të marrin pikët e para në fushën e tyre. “Është koha që ne të reagojmë dhe të marrim fitoren e parë në fushën tonë. Për këtë arsye duhet të japim gjithçka ndaj Laçit, në mënyrë që të rikuperojmë pikët e lëna rrugës. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë, pasi javët ikin dhe pikët janë ato që vlejnë. Për këtë jemi të vetëdijshëm. Në pesë javë kemi bërë diku mirë e diku keq. Ekipi duhet të shmangë oshilacionet dhe të jetë i përqendruar”, përfundoi Shqiprim Taipi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"