Humbja me Kastriotin, Vitija: Të mos e bëjmë dramë, nuk ishte dita e Skënderbeut
Humbja në javën e fundit normalisht që ka trazuar ujërat në kampin korçar, që tashmë e shohin veten të renditur në vendin e parafundit të klasifikimit. Në kushtet kur ishte një takim deri diku përcaktues për vijimin e sezonit, edhe pse jemi herët, kjo ka sjellë një sërë reagimesh nga ana e tifozëve.
Përtej kësaj, ajo që djeg më shumë është humbja. Edhe për mbrojtësin kosovar, Leonat Vitija, është një rezultat i cili kurrsesi nuk pritej, por tashmë ndodhi dhe ekipi duhet të dijë të reagojë. Për Vitijan Skënderbeu nuk ka qenë në ditën e tij ndaj Kastriotit, ndaj kjo humbje ai mendon se do të shërbejë si një shkundje e gjendjes psikologjike të lojtarëve. Tani kërkohet reagimi në ndeshjet e radhës për të rikuperuar pikët e nevojshme pas pesë javëve të para të sezonit.
“Kemi dalë të mundur nga një ndeshje që duhet ta fitonim dhe e kishim përgatitur gjatë gjithë javës për ta fituar. Ishte një takim i rëndësishëm për ne, por për fat të keq nuk ia dolëm. Ekipi nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe kemi humbur shumë duele në fushë duke mos iu imponuar kundërshtarit. Kjo na solli që të pësonim gol dhe më pas atje ndryshuan balancat. Nuk ishim në ditën tonë dhe për këtë nuk ka asnjë justifikim.
Na vjen keq pasi është një humbje që duhej shmangur dhe na zbret më shumë në klasifikim. Për fat të mirë kemi kohë dhe javë përpara për të rikuperuar, prandaj nuk duhet ta bëjmë dramë. Tani duhet të ulim kokën dhe të punojmë duke filluar nga kjo javë e në vazhdim për të rikuperuar gjithçka që kemi humbur në këto pesë javë të para”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, mbrojtësi Vitija. Kampionati- Më tej, mbrojtësi i Skënderbeut është ndalur edhe te vendi i parafundit në renditje, pozicion të cilin Vitija nuk e bën dramë. Ai u shpreh i sigurt se ky nuk është pozicioni i Skënderbeut në këtë sezon, por thjesht momental. Për këtë, kosovari është i bindur se renditja do të ndryshojë shumë shpejt
. “Është ende herët për të parë renditjen dhe për ta pasur mendjen te klasifikimi. Me të vërtetë në pesë javët e para kemi bërë jo fort mirë, ndaj edhe jemi në vendin e parafundit, por të jeni të bindur që ky pozicion nuk na shkon aspak për shtat. Do të rritemi dhe do të jemi shumë më lart, pasi cilësitë në ekip nuk na mungojnë. Janë vetëm javët e para dhe me kalimin e ndeshjeve situata do të qartësohet akoma edhe më shumë dhe Skënderbeu nuk do të jetë atje ku është tani”, përfundoi Leonat Vitija.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"