“Humbja me Burrelin e paimagjinueshme”, Bruka: Presidenti më konfirmoi, Besëlidhja funksionon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 12:39

“Humbja me Burrelin e paimagjinueshme”, Bruka: Presidenti më konfirmoi, Besëlidhja funksionon

Besëlidhja është “betonuar” në fund të tabelës së klasifikimit. Një pozicion që dhemb dhe mbi të gjitha s’i shkon për shtat një ekipi që çdo sezon ka pasur pretendime madhore. Kështu e nisën edhe këtë kampionat, por pas 5 javësh kanë vetëm 1 pikë.

bruka

Zyrtarisht kanë harruar që të fitojnë, duke u zhytur në krizë. E megjithatë, as humbja 0-5 në shtëpi përballë Burrelit nuk solli ndryshime në staf. Alban Bruka do të vazhdojë të jetë në krye të pankinës. Ai është konfirmuar si trajner nga ana e presidentit Gjok Noka, me shpresën që këtë fundjavë të vijë kthesa e madhe. Numri një i stolit nuk e përtyp dot atë humbje, megjithatë qartëson se duhet pranuar realiteti dhe të mbledhin forcat për të nxjerrë mësime. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, lezhjani e analizon kështu atë që ngjau përballë matjanëve:

“Humbja e së dielës ishte e paimagjinueshme, por ndodhi dhe duhet që ta pranojmë realitetin. Takimi i së enjtes për Kupë ishte rraskapitës për ne dhe kjo e dha ndikimin e saj negativ në një 90-minutësh vendimtar për kampionatin, ku duhet të merrnim pikë. Humbja ka ardhur si rezultat i disa mungesave nga radhët e titullarëve, që nga portieri E.Kodra, mbrojtësi R.Gjikolaj, Luca dhe ndonjë tjetër”.

Trajneri nuk sheh “zi” gjithçka, madje thotë që ekipi funksionon. Kur janë edhe 30 pikë në lojë, ai mendon se gjithçka do të përmbyset për mirë dhe Besëlidhja do të ngjitet në renditje. “Pavarësisht humbjes së thellë, ekipi funksionon. Pësimi i golit që në minutat e para e demoralizoi ekipin nga ku pësuam shpejt edhe dy gola të tjerë. Kjo humbje normalisht që na ka tronditur pasi jemi në vend të fundit, ndaj duhet të reflektojmë seriozisht.

Pas ndeshjes, dje u ula me presidentin e bisedova, por ai ma besoi drejtimin e ekipit dhe kjo për mua është barrë që duhet ta përballoj. Kam shumë besim se do të reflektojmë pozitivisht dhe kjo humbje do të harrohet. Nëse ne do të punojmë seriozisht dhe ekipi do ta vlerësojë situatën, 30 pikët që janë në lojë fazën e parë janë të mjaftueshme për të marrë pjesën tonë, të paktën për mbijetesë”, përfundoi Bruka.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"